Lajme

Rama: Rruga “Nekibe Kelmendi” me rëndësi të madhe, ndërlidh pjesë kyçe të kryeqytetit

Autori: Gazeta inFokus 12:46 | 13 May 2023

Në vlerë prej më shumë se 370 mijë eurosh është duke u bërë rikonstruktimi i rrugës “Nekibe Kelmendi”. Afati kohor për përfundimin e këtyre punimeve është për 90 ditë, ndërkaq nga Komuna e Prishtinës thonë se ky segment do të mbyllet para afatit kohor. Sot, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi kanë bërë inspektime në nisjen e fazës së dytë të këtyre punimeve në këtë rrugë.

I pari i kryeqytetit ka thënë se është duke u punuar me intensitet të lartë në të gjitha pjesët e kryeqytetit.

Rama është shprehur se rruga “Nekibe Kelmendi” është me rëndësi të madhe, e cila ndërlidh disa pjesë kyçe të kryeqytetit.

-Advertisement-

“Kjo rrugë këtu ‘Nekibe Kelmendi’ është me rëndësi shumë të madhe për arsye se ndërlidh disa pjesë kyçe të kryeqytetit. Për këtë arsye edhe kemi krijuar një rrugë me një dizajn të ri, e cila përmban trasenë për biçikleta, por e kemi edhe mënyrën e komunikacionit alternativ, përveç të makinave po ashtu edhe zona e këmbësorëve edhe zona e gjelbër për të krijuar edhe një ambient më të mirëfilltë edhe për qytetarët të cilët ecin nëpër këto pjesë të kryeqytetit. Është një punë intensive”, ka shtuar Rama.

I pyetur në lidhje me kaosin ne kryeqytet dhe vazhdimin e sheshit deri te “Katedralja”, Rama ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të përballohet nëse të gjithë lëvizin me makina.

Ndërkaq, drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi është shprehur se afati kohor për përfundimin e punimeve në rrugën “Nekibe Kelmendi” është 90 ditë.

Xhaferi ka njoftuar se punimet janë duke vazhduar edhe te hekurudha, ku javën e kaluar është përmbyllur projekti sa i përket problemit që ka qenë me varrezat ortodokse dhe ato katolike./kp

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të katërt "Banka e Vitit 2024 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera