Lajme

Qeverisë i tërhiqet vërejtja për deklaratat ndaj gjyqësorit – kështu s’hapen dyert për Këshill të Europës dhe Bashkim Europian

Autori: Gazeta inFokus 12:06 | 24 January 2024

Qeveria Kurti po e gjen pengesë Gjykatën Kushtetuese për jetësimin e reformave të synuara. Dhe këtë qëndrim njerëz kryesorë të saj s’e fshehin as në deklaratat e tyre publike.

“Nëse puna ime, nëse premtimi im për qytetarët është të sjell drejtësi dhe kur dihet mirë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një ambienti të korruptuar, më së paku që mund të bëj është të deklaroj publikisht se ky vendim, sipas mendimit tim, nuk është produkt i një institucioni kredibil”, kishte deklaruar zëvendësi i parë i kryeministrit Kurti, Besnik Bislimi, në fillim të këtij viti për një radio lokale në gjuhën serbe “Radio Gorazhdevac”.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministrja e Drejtësisë dolën haptas me kundërshtitë e tyre ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se opozita po e sheh atë si shpëtim. Qeveritarët po i konsiderojnë gjyqtarët e saj jokredibilë, ndërsa ambientin të korruptuar.

-Advertisement-

“Gjykata jonë Kushtetuese njihet për prodhim të dokumenteve kontroverse në vendime dhe këtë e shohim në baza ditore, sepse ne besojmë se atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti”, kishte thënë Bislimi.

Shtetet e Quint’it në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për pronën rreth Manastirit të Deçanit, por kur Bislimi u pyet mbi këtë çështje, ai tha se e shohin si vendim jo të zbatueshëm.

“Ky nuk është i vetmi vendim i Gjykatës që nuk ka mundur të zbatohet në të kaluarën, për shembull Gjykata ka prodhuar një dokument tjetër, një vendim tjetër, që pak a shumë njeh kërkesën e punëtorëve të një kompanie të privatizuar në Ferizaj në vlerë prej 22 milionë euro, ndërsa në të njëjtën kohë ligji thotë se nuk mund të kompensohen punëtorët më shumë se 80% për qind të vlerës së shitur të firmës, që ka qenë 5 milionë”.

Sidoqoftë, Bislimi thotë se s’po i mohojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Pra, kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime. Është vështirë të veprojmë në bazë të tyre. Nuk është se po i mohojmë”.

Ndërkaq, ministrja Albulena Haxhiu, për organin më kryesor që mban rendin kushtetues, thotë se Kushtetuesja s’po i respekton afatet kohore.

“Mendoj që është fakt që një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në drejtësi, por edhe në fushat tjera, është Gjykata Kushtetuese. Pse po e them këtë. Sepse opozita po e konsideron si shpëtim. Në mënyrë që të mos jetësohen reformat qoftë në drejtësi, qoftë në aspektin ekonomik-financiar, mirëpo edhe ato në administratën publike. Fakti që Ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë që Gjykata Kushtetuese për kërkesat që dërgohen nga ana e Kuvendit, duhet të trajtohen brenda 2 muajve dhe nga ana tjetër ne presim deri në një vit për një aktgjykim, kjo sigurisht përbën problem, sepse ka pasoja afatgjate. Sepse reformat që ne mund t’i përfundonim para një viti, sepse Gjykata Kushtetuese s’i ka trajtuar me prioritet, ne jemi të detyruar të presim e të presim me muaj të tërë në kundërshtim me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, një aktgjykim”, ka thënë Haxhiu.

Nga ana tjetër, dje një takim është zhvilluar mes shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani, bashkë me ambasadorin e Austrisë, Georg Schnetzer, atë të Italisë, Antonello De Riu, si dhe shefin e EULEX-it Giovanni Pietro Barbano.

Natyrisht, temë diskutimi ishin deklarimet e qeveritarëve ndaj institucionit të Kushtetues.

“Për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe zbatohen plotësisht, përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për rastin e Manastirit të Deçanit”, ka shkruar dje Szunyog në X.

Këtë shqetësim tha se e ka edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se nuk mund të ketë zbatim selektiv të ligjit dhe se kjo e pengon rrugën e anëtarësimit të Kosovës si në Këshillin e Europës ashtu edhe në BE.

“Ndaj edhe këtu shqetësimin e kolegut tim të BE-së. Sundimi i ligjit “à la carte” nuk e hap as rrugën drejt Këshillit të Europës as Bashkimit Europian. Mbështetja e Kosovës në rrugën e saj të integrimit europian është e përzemërt, por edhe Kosova duhet të bëjë pjesën e saj”, ka shkruar sot Rohde.

Po ashtu, për çështjen e Manastirit të Deçanit dje ka folur edhe eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në PE, e cila tha se raportuesve të Këshillit të Europës, që erdhën në Kosovë, u është thënë se Qeveria e Kosovës nuk do ta zbatojë këtë vendim.

“Me rastin e Deçanit që nuk zbatohet prej vitesh dhe mungesës së vullnetit politik për të ecur përpara në këtë drejtim, madje edhe kundërshtimi i anëtarëve të Këshillit të Europës duke u thënë se kjo Qeveri nuk do ta bëjë, nuk ua lehtëson anëtarëve të Këshillit të Europës që të ecin përpara me aplikimin”, kishte thënë dje ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera