Lajme

Qeveria përcakton lartësinë e pensionit për të larguarit nga puna në vitet ’90

Autori: Gazeta inFokus 14:00 | 13 December 2023

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin që përcakton lartësinë e pensionit për të larguarit nga puna në vitet ’90.

Në korrik të këtij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në ligjin për pensionet, duke u mundësuar pensionistëve që janë larguar nga puna në vitet ’90 të përfitojnë nga pensioni kontributpagues.

Në mbledhjen e qeverisë të mërkurën është përcaktuar edhe shuma që pritet të përfitojnë kjo kategori e pensionistëve.

-Advertisement-

Sipas vendimit të qeverisë, lartësia e pensionit kontribut pagues parcial – pra atyre që nuk e plotësojnë kriterin prej 15 vjetësh stazh – do të jetë 1/15 e çdo viti kontributesh që kanë dhënë.

Kësisoj, ai që ka kontribuar, për shembull, shtatë vite në Fondin Pensional para largimit nga puna gjatë vitit ’90, do të përfitojë 7/15 të diferencës mes pensionit bazik (100 euro) dhe pensionit përkatës me shkollimin përkatës.

Lartësinë e pensionit kontribut-pagues parcial e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, shkruan Paparaci.

“Ky propozim-vendim është në funksion të Ligjit për Pensionet e Financuara nga Shteti, i cili mundëson që edhe personave të cilëve iu është bërë e padrejtë me përjashtim nga puna gjatë viteve 90’, të përfitojnë nga pensioni kontribut-pagues parcial.. për këtë, sipas ligjit parashihet të përcaktohet edhe lartësia. Me këtë vendim, sqarohet se lartësia e pensionit kontribut-pagues parcial është niveli i pensionit bazik plus diferenca pra, 1/15 për çdo vit kontributesh që kanë dhënë”, tha ministri Murati.

“P.sh. dikush që ka kontribuar për dhjetë vite në Fondin Pensional të atëhershëm do të marrë 10/15 e diferencës mes pensionit bazik dhe pensionit përkatës me shkollimin përkatës, që është pension kontribut-pagues i plot. Pra, është një formulë e cila shërben për t’u përllogaritur. Qëllimi është se që nga muaji dhjetor, të paguhen retroaktivisht që nga muaji kur ka hy ligji në fuqi. Shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë pensionistët të ciltë janë përjashtuar dhunshëm nga puna që të aplikojnë në zyrat përkatëse në mënyrë që të fitojnë pensionin”, u shpreh ministri.

Ndryshime sa i përket kushtit prej 15 vjetësh stazh ishin kërkuar për një kohë të gjatë nga sindikatat e punëtorëve.

Pensionet në Kosovë sillen nga 100 deri në 265 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera