Lajme

Qeveria miraton katër projektligje që rregullojnë funksionimin e sistemit gjyqësor

Autori: Gazeta inFokus 15:22 | 01 February 2018

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar pakon e ligjeve që rregullojnë funksionimin e sistemit gjyqësor, që përfshinë: Projektligjin për Gjykatat, projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe projektligjin për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, masë kjo plotësuese e vendimit të mëhershëm për rritjen e buxhetit të këtij sektori dhe i cili qon në rritjen e numrit të të punësuarve në Gjykata dhe Prokurori, edhe me 300 ekspertë të tjerë. Finalizimi i punës në pakon e ligjeve për sistemin gjyqësor, është edhe një hap në fuqizimin e pushtetit gjyqësor, pushtet ky që luan rol krucial në sundimin e ligjit në territorin e Republikës së Kosovës dhe mision i këtij viti për Qeverinë e vendit.

Qeveria ka miratuar projektligjet si në vijim:
1. Projektligjin për Gjykatat që ka për qëllim fuqizimin e sistemit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, avancimin e sistemit gjyqësor dhe qasjen në drejtësi në mënyrën më të lehtë. Për këtë qëllim ky projektligj trajton dhe rregullon këto çështje:

-Departamenti për Çështjet Administrative do të funksionoj në secilën Gjykatë Themelore në Republikën e Kosovës;

-Advertisement-

-Themelimi i degëve apo Gjykatave Themelore në komuna ku nuk ekzistojnë, bëhet me kërkesë të Kuvendit Komunal dhe vendim të Këshillit Gjyqësor.;

– Gjashtëdhjetë (60) ditë pas nxjerrjes së aktgjykimit, ai publikohet në faqen zyrtare;

– Gjykatës së Apelit në Prishtinë i shtohet edhe Divizion i Gjykatës së Apelit në Mitrovicën e Veriut;

– Përcaktohet çartë përfundimi i mandatit të gjyqtarit.

2. Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka për qëllim përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pavarësinë dhe paanshmërinë e anëtarëve të Këshillit, përbërjen dhe përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, propozimin, zgjedhjen dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit. Gjithashtu projektligji përcakton edhe procedurat e rekrutimit dhe përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe gjyqtarëve porotë, emërimi i gjyqtarëve, përgjegjësia disiplinore dhe trajnimi i gjyqësorit.

Risi në këtë projektligj është rritja e numrit të gjyqtarëve të zgjedhur nga Këshilli në raport me amendamentimet e fundit kushtetuese, raportimi i kryesuesit të Këshillit në Kuvend së paku një herë në vit lidhur me sistemin gjyqësor, mandati i anëtarëve të këshillit.

3. Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, që ka për qëllim rregullimin më të mirë të funksionimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe funksionimin efikas të prokurorive, si qëllim themelor të Këshillit Prokurorial.

Me këtë projektligj përcaktohet roli i anëtarit të Këshillit Prokurorial, që nuk do të ushtrojë detyrë të prokurorit përderisa ushtron rolin e anëtarit të këtij institucioni. Kjo do të sigurojë efikasitet më të madh në punë, transparencë dhe përkushtim ndaj zhvillimit të politikave brenda institucionit.

Projektligji përmban dispozita të reja në procedurat e shkarkimit të prokurorëve.

4. Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që krijon një sistem gjyqësor dhe prokurorial të paanshëm të pavarur, efiçient dhe llogaridhënës. Projektligji eliminon mangësitë lidhur me integritetin dhe procedurat disiplinore në kuadër të sistemit prokurorial të Kosovës.

Projektligji ka për qëllim krijimin e një procedure standarde si dhe parimet themelore për zhvillimin e hetimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme është bërë edhe emërimi i komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës në Republikën e Kosovës. Ky komision do të shqyrtohet dhe miratohet edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Është miratuar edhe vendimi sipas të cilit Qeveria e Republikës së Kosovës i rekomandon Presidentit të Republikës së Kosovës që në pozitën e të ngarkuarit me punë në Misionin Diplomatik në Pragë të Republikës së Çekisë, të emërohet Arbër Vllahiu.

Qeveria ka miratuar vendimin që Rruga nacionale Prishtinë – Mitrovicë të mbajë emrin “Rruga e tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, në shenjë nderimi për këta tre heronj që në vitin 1997 kanë rënë pikërisht në një pikë të këtij segmenti rrugor.

Kryeministri ka propozuar që kabineti qeveritar të dakordohet që në vitin jubilarë të shënimit të pavarësisë së Kosovës, Qeverisë së Kosovës t’i adresohet Presidenti i Republikës dhe në një të ardhme edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Me propozim të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, është themeluar grupi punues për hartimin e Strategjisë për mbështetje të inovacionit dhe ndërmarrësisë. Ndërsa me propozimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është miratuar vendimi për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës që të autorizoj ministrin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që të nënshkruaj Marrëveshjen ndërkombëtare për sigurimet sociale në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka prezantuar shqetësimet e ngritura nga qytetarët gjatë vizitës së tij në Malin e Zi, për infrastrukturën e dobët të lidhjeve rrugore në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka njoftuar kabinetin qeveritar për gjendjen aktuale të punimeve në rrugën Deçan- Plavë, e cila sipas ministrit, pritet që të përfundoj brenda dy vjetëve të ardhshme dhe me këtë do të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidhin dy vendet tona.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar pezullimin e përkohshëm të vendimit nr. 04/20 të datës 20.12.2017 për nivelimin e pagave. Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi është marr pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera