Lajme

​Qeveria i përgjigjet propozimit të Ramës për Asociacionin: Ndërmjetësues kemi shumë

Autori: Gazeta inFokus 09:41 | 10 June 2023

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga ekzekutivi thonë se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.

Në ekzekutivin kosovar thonë se Asociacioni është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe se ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë do të kuptojnë qëllimin e Serbisë për krijimin e një “Republika serbe” në Kosovë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress thotë se qëllimi serb për Asociacionin shihet edhe së fundmi me nonpaper-in e Akademisë së Shkencave dhe të Artit të Serbisë ku flet për “Botën serbe”.

-Advertisement-

“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republika Srpska në Kosovë dhe së fundmi me nonpaperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për ‘Botën serbe’. Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, thuhet në përgjigjen Kryeziut.

Në anën tjetër, propozimi i draft-statutit të Asociacionit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pa konsultim me institucionet kosovare po shihet më shumë si tentim për protagonizëm të tij, nga analistët politikë në Kosovë dhe Shqipëri.

Analisti politik, Albinot Maloku thotë për KosovaPress se këtë iniciativë të kryeministrit Rama do të konsideronte asistim për Qeverinë e Kosovës, sikur situata të ishte më ndryshe e jo në vlugun e tensioneve Kosovë-Serbi.

Ai kërkon nga Shqipëria që të ketë rol më të madh në mbështetje të Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Do të konsideroja asistim për qeverinë e vendit këtë propozim të kryeministrit Rama sikur situata të ishte më ndryshe. Kjo nënkupton se para së gjithash kryeministri Rama të kishte një trajektore politike ndryshe në raport me Kosovën. E dyta që i njëjti të propozonte që me ekspertizën e tij brenda këtyre organeve që kanë kompetencë për çështjen e Asociacionit, siç është Qeveria e Kosovës. Këtë veprim të kryeministrit Rama më shumë e kam pa si vazhdimësi e vullnetit të tij për protagonizëm dhe tentim të interferimit aty ku më së paku do të duhej…

Unë nuk dua me pa çdo hap të Republikës së Shqipërisë në raport me Kosovën si ndërhyrje në punët e brendshme, mirëpo konsideroj se raporti do të duhej të ishte në atë mënyrë që mos të pengosh njerëzit kompetentë në Kosovë. Këtë e kam pa si vullnet të tij për të luajtur rolin e neutralit, i cili nuk është neutral, pasi qasja e tij ishte më tepër sesa një neutralit në raportin Kosovë-Serbi”, thotë Maloku.

Edhe analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni thotë për KosovaPress se mënyra si është sjellë në publik ky draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë tregon për një protagonizëm të Ramës në këtë proces, sesa një kontribut të madh për Kosovën.

Megjithatë, ai shton se drafti mund të ketë ardhur nga vetë bashkësia ndërkombëtare, por i prezantuar nga kryeministri Rama.

“Mund të them se është një draft që duket se më shumë është i ardhur nga kancelaritë e huaja dhe i prezantuar përmes zotëri Rama. Dokumentet e tilla kërkojnë kohë dhe asistencë dhe mbi të gjitha një lloj përgatitje dhe paralajmërim se po punohet për një draft të tillë.

Në momentin kur autoritetet e Kosovës thonë se nuk dinin asgjë për këtë, një farë mënyre lë për të dëshiruar. Kurse sa i përket procesit dhe kontributit të Shqipërisë mendoj se duhet të vlerësohet, pasi Shqipëria nuk mund të rri larg aktorëve të tjerë… Problemi i vetëm i Tiranës është se nuk ka qenë transparente dhe mënyra siç është sjell në publik duket më shumë si një dokument i cili do të bëjë Tiranën protagoniste se sa realisht që është një kontribut që vlen në vazhdën e këtyre”, deklaron Andoni.

Andoni shton se përfshirja e Ramës në çështjen e Asociacionit mund të prodhojë tensione mes tij edhe kryeministrit Kurti, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 14 qershor në Gjakovë.

“Zotëri Rama dhe zotëri Kurti të dy mundohen të jetë protagonist jo vetëm në vendet e tyre, por kudo që ju jepet mundësia në mjediset ndërkombëtare. Rama e ka treguar hapur këtë lloj protagonizmi që disa herë është i tepruar, ashtu siç zotëri Kurti po e tregon se protagonizmi i tij po i kushton Kosovës. Besoj se do të ketë një lloj tensioni në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet në Gjakovë”, thekson Andoni.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë kësaj jave bëri të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Ky dokument në bazë të raportimeve të premten është vlerësuar si serioz nga Bashkimi Evropian.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionin edhe në kuadër të marrëveshjes të Brukselit dhe të Ohrit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera