Lajme

Punëtorët e Lotarisë sërish në protestë

Autori: Gazeta inFokus 13:11 | 16 December 2021

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës sërish kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar miratimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe për mosmarrjen e pagave për më shumë se dy vite.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës që për më shumë se 30 muaj kanë mbetur pa punë kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

Shkumbin Goçi, përfaqësues i punëtorëve tha se kërkesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër, derisa tha se Lotaria e Serbisë po lejohet lirshëm të organizojë lojëra në pjesën veriore të Kosovës

-Advertisement-

“Edhe sot në mënyrë simbolike kemi dalë për të protestuar para objektit të Qeverisë për t’i kërkuar të drejtat tona sa i përket miratimit të ligjit dhe përmbushjes së obligimeve që ka për paga ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës. Ne kemi pasur një pauzë tri javë prej protestës së kaluar, për shkak se jemi takuar me disa persona që na u kanë ofruar vet, na kanë ofruar mbështetje, do të bisedojmë me qeverinë edhe kemi mbajtur shpresa që do të reflektojnë sa i përket çështjes tonë, por kot. Ne sot kemi dalë prapë që të protestojmë për të drejtat tona, do të vazhdojmë edhe në ditët e tjera”, tha ai.

Ai tha se janë takuar me kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa Armend Muja, por që tha se nga i njëjti më nuk kanë marrë njoftim nëse kërkesat e tyre do të adresohen.

Ndërsa, potencoi se nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk kanë marrë asnjë lloj konfirmimi se janë duke punuar në Ligjin për Lotarinë e Kosovës.

“Kurrfarë konfirmimi hiç, kemi dërguar shkresa përmes email-it, kemi dërguar shkresa në mënyrë fizike në zyrat e tyre, jemi munduar përmes telefonit me kontaktu me ta, por krejt është e kot, do të thotë kurrfarë përgjigje nuk kemi prej tyre as mirë as keq… Neve na mohohet e drejta si Lotari e Kosovës për të organizuar lojëra të fatit, kurse lojtari na dërgon edhe me foto me dëshmi që Lotaria e Serbisë organizon në territorin tonë, do të thotë në krejt zonat ku ka popullatë serbe organizohet Lotaria. Qysh është e mundur kështu, 100 familje me i lënë pa bukë, pa punë, kurse Lotaria e Serbisë vjen na organizon lojën në territorin tonë”, tha ai.

Ndërsa, Miran Ademi punëtor i Lotarisë së Kosovës për 36 vite, tha se është e pakuptimtë që qeveria po hesht ndaj kërkesave të tyre.

“Ne kërkojmë nga qeveria të na kthejë në vendet e punës, kërkojmë edhe rrogat tona që na ka mbetur borxh me na i dhënë. Lotaria e Kosovës është e Kosovës, aksionar në Lotari të Kosovës është qeveria…Nuk ka punëtorë që nuk është në kredi, kreditë duhet me i pagu diqysh”, thotë ai.

Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2019 ka miratuar Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, e që nga ajo kohë Lotaria e Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e saj. /KP/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera