Lajme

Publikohet dokumenti për të cilin MSH po pretendon se është falsifikuar nga “Pharma Leader” në tenderin për insulina

Autori: Gazeta inFokus 22:07 | 13 June 2023

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë të jashtëzakonshme për medie ka akuzuar për falsifikim të dokumenteve “Pharma Leader”, kompaninë private e cila është ofertuese në tenderin për insulina.

Ai tha se provat që i ka siguruar Ministria, i ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit.

Sipas ministrit kompania në fjalë nuk ka pasur asnjë leje për të importuar insulina në Republikën e Kosovës.

-Advertisement-

Bëhet fjalë për një shkresë “Statement” të kompanisë “Pharma Trejd” në Maqedoni të Veriut e cila është përfaqësuese e prodhuesit të insulinave në SHBA “Eli Lilly”. Në këtë shkresë kompania maqedonase i jep leje ose autorizim kompanisë nga Kosova “Pharma Leader” që të ofertojë në tenderin për insulina, si dhe zotohet se do të bëj furnizimin sipas kontratës.

Por sipas Vitisë dhe Bardiqit kjo shkresë nuk është valide pasi kompania “Pharma Trejd” ka deklaruar në një korrespodencë me MSH-në se asnjëherë nuk ka lëshuar dokument të tillë si dhe për këtë dokument nuk është në dijeni as kompania “Eli Lilly”.

“Dje, me dt. 12 jemi njoftuar zyrtarisht se asnjëherë kompania “Pharma Leader” nuk ka pasur asnjë leje apo marrëveshje për të importuar insulina në Kosovë. As nga prodhuesi amerikan “Eli Lilly”, as nga kompania në Maqedoninë e Veriut.Në dokumentin e muajit maj, të vitit 2023, operatori ekonomik e ka ofruar një dëshmi (statment) nga “Pharma Trade”, në gjuhën angleze. Me qëllim të konfirmimit të rregullsisë së dëshmisë, Ministria e Shëndetësisë ka kontaktuar përmes shkresave elektronike me “Farma Trade” me seli në Maqedoninë e Veriut. Nga ana e Zv/Drejtorit Gjeneral të “Fharma Trade” kemi pranuar përgjigjen përmes postës elektronike, me shkrim, se dëshmia e ofruar nga “Pharma Leader” nuk është valide dhe se ata nuk kanë ofruar një dëshmi të tillë”, ka deklaruar ministri Vitia.

Dokumenti për të cilin Vitia dhe Bardiqi kanë ngritur dyshimet se është i falsifikuar. Emrat dhe adresat elektronike janë mbuluar nga redaksia.

Kërkesën për të iniciuar këtë konfirmim të dokumentit MSH e kishte marr nga kompania tjetër ofertuese në këtë tender. Kërkesa për konfirmim është bërë nga zyra e Prokurimit të MSH-së.

“Në pyetjen tonë nëse prodhuesi “Eli Lilly and Company” është në dijeni për përmbajtjen e kësaj shkrese/dëshmie të ofruar nga “Pharma Leader”, përgjigjja është se as prodhuesi nuk është në dijeni të ekzistimit të një shkrese të tillë që kompania e ka prezantuar si dëshmi në Ministrinë e Shëndetësisë. Pra, bazuar në këtë korrespodencë të verifikimit të dëshmive të prezantuara, operatori ekonomik “Pharma Leader”, dyshohet se ka ofruar dokument të falsifikuar gjë që konsiderohet vepër penale”, ka deklaruar sot Vitia.

Korrespodenca e MSH-së me kompaninë “PharmaTrejd”

Tutje ministri ka treguar edhe nenin e Kodit Penal sesa është e dënueshme kjo vepër.

Sipas Vitisë ky dokument që dyshohet të jetë i falsifikuar tregon edhe arsyet pse kompania “Pharma Leader” nuk kishte aplikuar asnjëherë për të marr Autorizim Marketingun për produktin e tyre.

“Pyetja që shtrohet këtu është se nga do t’i merrnin insulinat kur nuk kanë pasur leje për t’i marrë ato amerikane? Produkte fallco? Kontrabantë apo çfarë? Kjo duhet kuptuar dhe sqaruar sa më parë. Sot, në mëngjes, këto prova menjëherë i kemi proceduar tek organet kompetente për hetime të mëtutjeshme. Një kopje e shkresës është dorëzuar edhe fizikisht në Policinë e Kosovës. Që të gjitha shkresat elektronike tashmë i kanë organet e sigurisë, si prova ky dyshohet për vepër penale siç është falsifikimi i dokumentit me qëllim të përfitimeve të jashtëligjshme. Por, jo vetëm kaq. Potenciali i dëmtimit të shëndetit publik dhe shumë probleme të tjera të shkakuara gjatë kësaj periudhe”, ka deklaruar Vitia në konferencën për media.

Edhe Sekretari Bardiqi ka treguar kronologjinë e këtij rasti. Ai ka bërë të ditur se kërkesa për të konfirmuar këtë shkresë ishte dorëzuar dje në kompaninë Maqedonase, ndërsa përgjigjen e kishin marr brenda ditës pas orës 18:00.

Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga kompania “Pharma Leader” por deri në këto momente nga ky operator nuk janë përgjigjur për pretendimet e MSH-së.

Tenderi për insulina është iniciuar në fund të vitit 2020. Procedura është zgjatur pasi kompania “Pharma Leader” nuk kishte Autorizim Marketing për insulinat që i kishte ofertuar, dhe MSH nuk ka pranuar t’ia jap tenderin të njëjtës. Kjo kompani disa herë është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, institucion ky i cili e kishte kthyer lëndën në rivlerësim.

Dy krerët e MSH-së Vitia dhe Bardiqi ishin zotuar se nuk do ta nënshkruajnë kontratën me këtë kompani e cila nuk kishte AM. Rasti ka përfunduar edhe në gjykata.

MSH para disa ditësh ka marr vendimin e fundit për anulimin e tenderit. Vendimi është pezulluar deri në përfundimin e afatit për ankesa. Në këtë tender ofertuesi “Meditech” ka ofruar insulinat me Autorizim Marketing./ gazetashneta/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera