Lajme

Protesta në mbrojtje të të moshuarës eksalon në thirrje për linçim: “Kriminele sikurse serbët në luftë”

Autori: Gazeta inFokus 13:06 | 04 November 2022

Qëllimi i një proteste të organizuar të premten në Gjakovë për t’i dal në mbrojtje të moshuarës M.N, ka devijuar në thirrje për linçim dhe nxitje të urrejtjes ndaj të dyshuarve për kryerjen e aktit.

Protesta, e cila u organizua nga dy organizatat e shoqërisë civile “Shoqata Krimet e Luftës – Gjakovë” dhe “Bashkimi i Femrave Gjakovare”, eskaloi në thirrje për linçim të infermiereve të arrestuara për dhunë ndaj të moshuarës që po qëndronte në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë.

Qamile Tali, një nga organizatoret e protestës, linçi publikisht infermieret e dyshuara për aktin e sulmit ndaj të moshuarës. I quajti ato “kriminele” dhe të “mallkuara”.

-Advertisement-

Në një fjalim para protestuesve të mbledhur në qendër të Gjakovës, Tali i krahasoi infermieret me “kriminelët serbë” që kryen krime në luftën e Kosovës më 1998-1999.

“Në këtë tubim jemi të tronditur në rastin e nënës heroinë, e cila rriti dëshmorin e kombit Taulant Nura, i cili ra heroikisht në moshën 17-vjeçare tu lufue dhëmbë për dhëmbë me kriminelët e Serbisë, ndërsa sot nënës e Taulantit po e rrahin disa kriminele sikurse kriminelët e Serbisë që na rrahën e na maltretuan gjatë luftës”, tha Tali.

“Kurrë mos u harroftë ky akt barbar”, përfundoi ajo. “Nënat tona që ne nuk i shohim më, mos na i prekni shpirtin në parajsë. Mos na bëni të ngihemi nga varret e të ju mallkojmë deri në vdekje. Qeveri, mbylle këtë shtëpi! Kontrolloni rreptë të tjerat shtëpi, sepse kjo është nënë heroinë që dha birin më të dashur të zemrën të saj. Poshtë ato kriminele!”.

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën tre persona të dyshuar për ushtrim të dhunës fizike ndaj të moshuarës M.N.

Dy gra, që fillimisht u arrestuan dyshohen se kanë kryer veprën penale “sulm”, ndërkaq, personi i tretë, që u arrestua më vonë gjatë ditës, dyshohet për veprën “fotografim apo incizim i paautorizuar.

Policia e Kosovës tha më herët gjatë 2 nëntorit identifikuar dy gra të dyshuara, pasi në rrjetet sociale më 2 nëntor qarkulloi një video-incizim, ku shihej një punëtore në një shtëpi të pleqve në Pejë, duke ushtruar dhunë ndaj një gruaje të moshuar.

“Të dyshuarat janë duke u intervistuar nga hetuesit e stacionit policor në Pejë”, u tha në njoftim.

Qendra për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë tha se ka suspenduar nga puna katër infermiere, që tha se janë të përfshira në këtë rast.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera