Lajme

Protesta kundër ceremonisë së Çmimit Nobel në Stokholm, flamuri shqiptar në fokus!

Autori: Gazeta inFokus 19:33 | 10 December 2019

Qindra qytetarë janë tubuar sonte në sheshin Normmalm në Stokholm për të protestuar ceremoninë e Çmimit Nobel të vitit 2019, ku çmimi për letërsinë iu nda shkrimtarit të diskutueshëm austriak Peter Handke, raporton Anadolu Agency (AA).

Shumica e të tubuarve ishin qytetarë të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë anëtarët e shoqatës së njohur boshnjake “Nënat e Srebrenicës”, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte edhe flamuri i Shqipërisë i cili nuk mungoi në mesin e flamujve boshnjak.

Iniciatore e protestës, Teufika Shabanoviç, e cila është me origjinë nga Srebrenica, konfirmoi se disa qindra njerëz tashmë janë grumbulluar në protesta.

“Ata e shpërblyen njeriun që mohoi gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera në territorin e Bosnjë e Hercegovinës në vitet e 90’ta. Ne qëndrojmë në anën e të vërtetës dhe të drejtësisë”, tha Shabanoviç.

Ceremonia e Çmimit Nobel është mbajtur nën hijen e kritikave shkaku i vendimit për ndarjen e çmimit të letërsisë të këtij viti për Handke, një shkrimtari austriak që mohon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës. Atij iu nda Çmimi Nobel për Letërsi përkundër përkrahjes së tij të hapur për presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 në Gjykatën Ndërkombëtare në Hag teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

Handke pretendoi se boshnjakët muslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk besoi se serbët kishin kryer gjenocid në Srebrenicë.

Disa vende bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Të dërguarit e Kosovës, Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës në Suedi nuk morën pjesë në ceremoni.

Peter Handke
Shkrimtari austriak Handke ka lindur në vitin 1942 në fshatin Griffen në rajonin Karnten në jug të Austrisë. Nga viti 1961 ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Grazit. Por i ndërpreu studimet disa vjet më vonë kur e publikoi novelën, “Die hornissen”, në vitin 1966.
Përzgjedhja e Handke-s si laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 shkaktoi reagime në rajon dhe më gjërë.
Handke i cili ishte një admirues i madh i Millosheviqit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë, kishte shkruar “Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë”.
Autori austriak kishte theksuar se asnjëherë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.
Ai gjithashtu kishte vizituar në burg Milloseviqin dhe kishte bërë përpjekje për të dëshmuar në favor të tij.
Handke po ashtu kishte marrë pjesë në varrimin e Millosheviqit në vitin 2006, ku në fjalim ishte shprehur se “Këtu gjendem për Jugosllavinë, Serbinë, Sllobodan Millosheviqin”.

 

Të tjera