Lajme

Prokuroria nuk e ka sqaruar kërkesën për pezullimin e pagesave për ‘veteranët e rrejshëm’

Autori: Gazeta inFokus 13:34 | 20 December 2018

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj qëkur Prokuroria Speciale e Kosovës për herë të parë dorëzoi në Gjykatën aktakuzën që ngarkon 12 persona në lidhje me fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së, sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës, Prokuroria nuk e ka sqaruar kërkesën për masë të përkohshme për pezullimin e pensioneve.

Sqarimi i Prokurorisë, sipas Gjykatës, nuk ka ndodhur edhe pse kishin në dispozicion rreth dy muaj kohë pasi që aktakuza u kthye në plotësim nga gjyqtarja e rastit Nushe Mekaj.

“Pas shqyrtimit të akuzës së përmirësuar është gjetur se Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ndonjë sqarim sa i përket kërkesës së gjykatës lidhur me Propozimin e paraqitur në aktakuzë për dhënien e masës së përkohshme-pezullimin e pagesës për numrin e caktuar në akuzë si veteran luftëtarë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

-Advertisement-

Kësisoj, përkundër se prokuroria pretendon se tashmë nga pensionet për veteranët e ‘rrejshëm’ është shkaktuar dëm në vlerë prej 68.153.533.14 euro përfituesit për të cilët pretendohet se janë të kundërligjshëm do të vazhdojnë t’i marrin pensionet.

Kallxo.com raportoi për arsyet mbi të cilat Gjykata Themelore e Prishtinës e ktheu në plotësim aktakuzën për veteranët më 22 tetor të këtij viti.

Gjyqtarja Nushe Mekaj kishte kërkuar nga Prokuroria që të shqyrtojë mundësinë që kërkesën për pezullimin e pensioneve ta realizojë në ndonjë procedurë tjetër për shkak të ekonomizimit dhe shtyrjes në pakufi të çështjes penale.

“Duke qenë se është fjala për një numër tejet të madh të personave, që e tejkalon shifrën prej 20.999, është plotësisht e qartë se vendosja lidhur me kërkesën pasurore juridike”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës  më 14 shator të këtij viti ka ngritur aktakuzë dhe është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera