Prokuroria kundërshton propozimin që Presidenti Thaçi të jetë dëshmitar në rastin “Veteranët”
Autori: Gazeta inFokus 14:29 | 17 January 2020
Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Valdet Gashi, ka kundërshtuar propozimet e mbrojtjes së të akuzuarve për të ftuar një numër të madh të dëshmitarëve në gjykimin e rastit të “Veteranëve”.
Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.
Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në mesin e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve, ka qenë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe një numër i madh i komandatëve të brigadave, batalioneve dhe formacioneve tjerë në kuadër të UÇK-së.
Këto propozime, janë dhënë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por si jo të rëndësishëm për t’u dëgjuar i ka vlerësuar prokurori Gashi.
“Kemi ardhur në përfundim se këta dëshmitarë nuk janë relevantë për çështjen që është objekt i gjykimit në këtë proces, pasi ashtu siç është paraqitur në dispoztivin e aktakuzës, objekt i shqyrtimit është puna e Komisionit Shtetëror. Të gjithë dëshmitarët janë dëshmitarë që sipas arsyetimit të propozimit do të tregojnë për diçka që nuk është objekt shqyrtimi në këtë gjykim. Duke vlerësuar se janë jo relevantë për çështjen, ne mendojmë se një dëgjim i tyre vetëm do të zvarriste këtë proces gjyqësor”, ka thënë prokurori Gashi.
Sa i përket përjashtimit të provës materiale, incizimeve të mbledhjeve, prokurori Gashi, ka thënë se e kundërshtojnë këtë propozim, sepse është i pabazuar dhe i pa mbështetur në ligj.
“Pretendimet e parashtruesit, se incizimet e mbledhjeve që ka bërë dëshmitari Bujar Shala, se janë realizuar për nevoja personale e jo në mënyrë zyrtare, nuk qëndrojnë sipas vlerësimit të prokurorisë, sepse ky incizim është bërë në kuadër të ushtrimit të detyrave të tij, si sekretar i Komisionit dhe po ashtu këto incizime janë bërë në mbledhje zyrtare të Komisionit dhe janë ruajtur në pajisje zyrtare të këtij Komisioni. Në rastin konkret apo pretendimet e mbrojtjes, nuk qëndron pretendimi se këto incizime kanë qenë çështje personale. Përgjigje më të gjerë lidhur me këtë e keni me shkrim”, ka thënë ai.
Seanca është duke vazhduar dhe më pas pritet të vendoset lidhur me këto propozime dhe të tjera që mund të dalin gjatë kësaj seance.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.
Të tjera
-
FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024
Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur sot ceremoninë e garës ndërkombëtare “...
-
Pas dyshimeve për keqpërdorim, konstituohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore
Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkol...
-
Projektligji për KPM-në, Deirdre Kevin: Ligjet janë në përputhje me standardet evropiane
Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media, u diskutua sërish në Komisio...
-
Dhëndrri dyshohet se tentoi të vr*së ish vjehrrin, policia jep detaje për rastin në Dragash
Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë dyshohet se ka tentuar të vrasë nj...
-
“Nuk do ta shesim TikTok-un”, reagon pronari kinez në SHBA pas miratimit të ligjit që ndalon rrjetin social
Kompania mëmë kineze e TikTok, ByteDance, thotë se nuk ka ndërmend ta shesë b...
-
Blinken: Rusia pa ndihmën e Kinës nuk do arrinte të vazhdonte pushtimin e saj në Ukrainë
Rusia do të kishte vështirësi për të vazhduar pushtimin e saj në Ukrainë pa n...
-
Rama takon Jasharin, diskutojnë për shtatoren e Adem Jasharit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim Bekim Jas...
-
Osmani për donacionin në QKUK: Rikthim i dinjitetit për pacientët
Klinika e Mjekësisë Bërthamore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ësh...
-
Regjistrimi i popullësisë: Komuniteti boshnjak në Kosovë shfaq drojën se numri i tij mund të zvogëlohet
Komuniteti boshnjak në Kosovë shfaq drojën se numri i tij mund të zvogëlohet,...
-
Lṷfta e fundit në Kosovë: Rreth 22 miliardë euro dëme materiale
Institucioni i Avokatit të Popullit po mban një tryezë diskutimi me rastin e ...
-
“Termokos” përmbyll sezonin e ngrohjes
Ndërmarrja “Termokos”, ka përmbyllur sezonin e ngrohjes për vitin 2023-2024. ...
-
Maqedonci në ministerialin e CEDC-së kërkon përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka rikonfirmuar edhe një herë orientimi...