Lajme

Prokuroria kërkon dënimin e ish-gjyqtarit Kolë Puka për shpëlarje parash, mbrojtja lirimin e tij

Autori: Gazeta inFokus 12:31 | 20 October 2022

Prokurori special Naim Abazi, ka kërkuar dënimin e ish-gjyqtarit Kolë Puka për shpëlarje parash, ndërsa mbrojtësi i tij, avokati Veton Puka lirimin e të njëjtit.

Paraprakisht në këtë seancë i akuzuari Puka është mbrojtur në heshtje për veprën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë edhe dje jam konsultu edhe dje jam sqarua që unë dëshiroj të mbrohem në heshtje”, tha i njëjti.

-Advertisement-

Më pas, prokurori në fjalën e tij përfundimtare të cilën e dorëzoi me shkrim dhe e elaboroi, ndër të tjera ka thënë se është vërtetuar që i akuzuari Puka ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

“Ne si prokurori konsiderojmë se në këtë çështje penale në mënyrë të pakontestueshme vërtetohet vepra penale të cilat i vihen në barrë akuzuarit si në aktakuzë. Konkretisht dhe në bazë të provave të administruara është vërtetuar në mënyrë të plotë gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv të kësaj aktakuze dhe në bazë të kësaj gjendje faktike në mënyrë të qartë u vërtetua se në veprimet e tani të akuzuarit janë manifestuar të gjitha elementet e veprës penale shpëlarje e parave siç është përcaktuar me ligj”, ka thënë prokurori Abazi.

Gjendja faktike e cila paraqitet në aktakuzë, prokurori tha se vërtetohet edhe nga dëgjimi i dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor.

I njëjti, krejt në fund i propozoi gjykatës që të akuzuarin Puka ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Puka, avokati Veton Puka në fjalën e tij përfundimtare të cilën edhe ai e dorëzoi me shkrim ndër të tjera ka thënë se aktakuza është e pabazuar pasi që nuk përmbushen kushtet të cilat e përbëjnë figurën e veprës penale.

“Aktakuza është e pabazuar, së pari nuk përmbushen elementet thelbësore të veprës penale pastrim i parave, elementi i parë është burimi kriminal i të ardhurave, prokurori është dashur të vërtetojë paratë a kanë qenë burim i veprës penale”, ka thënë avokati Puka.

I njëjti ka thënë se gjykata nuk duhet të ketë paragjykime ndaj Kolë Pukës për shkak të rasteve të tjera.

“Kështu si është paraqitur akuza, prokurori prezumon çdo blerje, çdo transaksion të Kolë Pukës. Gjykata nuk duhet të ketë paragjykime ndaj Kolë Pukës për shkak të rasteve të tjera. Çdo vepër dhe çdo element i veprës penale duhet të vërtetohet veçmas”, ka thënë ai.

Sa i përket pasurisë për të cilën bëhet fjalë, avokati Puka në fjalën e tij përfundimtare tha se prokuroria ka dështuar ta dëshmojë se e njëjta është e paligjshme.

Në fund, avokati Puka tha se i mbrojturi i tij duhet të lirohet nga akuza.

“Kolë Puka duhet të lirohet nga akuza për veprën penale shpëlarje parash”, ka thënë ai.

Gjithashtu, në fillim të seancës janë administruar edhe disa prova të propozuara nga prokuroi Abazi dhe avokati Puka.

Fjalën përfundimtare të avokatit e mbështeti i akuzuari Puka i cili tha se nuk ka tjetër çfarë të shtoi.

“E mbështes në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit tim dhe nuk kam çfarë të shtoj”, deklaroi i akuzuari Kolë Puka.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike është caktuar të mbahet me 24 tetor të këtij viti.

Bashkë me Kolë Pukën në këtë rast akuzohej edhe Z.P, mirëpo ndaj të njëjtit është pushuar procedura penale për shkak të vdekjes së tij, gjë të cilën në fillim të seancës e bëri të ditur kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.

Sipas saj, pushimi i procedurës vije për shkak të vdekjes së tij, pasi që një gjë e tillë është vërtetuar nga certifikata e vdekjes për të njëjtin, e lëshuar nga Komuna e Klinës.

Për këtë, ajo tha se gjykata ka nxjerrë aktvendim të veçantë më 8 prill të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 gusht 2014, i akuzuari Kolë Puka është marrë me aktivitet kriminal nga viti 2002-2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit pranë Gjykatës Komunale në Klinë, në atë mënyrë që gjatë aktivitetit kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Puka, duke e ditur që pasuria e përfituar ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim që ta fsheh, ta konvertojë apo maskojë, me këto mjete financiare ka blerë patundshmëri dhe më 4 prill 2008 në Gjykatën Komunale në Prishtinë ka vërtetuar kontratën mbi shitblerjen e patundshmërisë në vlerë prej 35 mijë euro.

Tutje, për të humbur gjurmë më tepër lidhur me këtë patundshmëri, thuhet se në bashkëpunim me babanë e tij, të akuzuarin Z.P, i njëjti e kishte evidentuar patundshmërinë në emër të babait.

Prokuroria pretendon se me këtë, në bashkëkryerje të akuzuarit Puka kanë kryer veprën penale, “Shpëlarja e parasë” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Kolë Puka, me qëllim të fshehjes së pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal, më 8 qershor 2007, ka blerë një banesë në Pejë, të cilën më 9 tetor 2007 ia kishte shitur Jeton Abazit në shumën prej 8 mijë euro.

Po ashtu, i akuzuari Kolë Puka, më 20 shkurt 2007, ashtu siç përshkruhet në aktakuzë ka blerë patundshmërinë nga Bora Abazi në vlerë prej 38 mijë euro (ku 8 mijë euro është llogaritur banesa që ia ka shitur Jeton Abazi, ndërsa 30 mijë euro i ka dhënë të holla).

Sipas aktakuzës, i njëjti duke dashur që ta fshehë burimin e mjeteve financiare të përfituara nga aktivitetet kriminale, të njëjtën patundshmëri më 17 prill 2009 përmes kontratës të vërtetuar në Gjykatën Komunale në Klinë ia ka shitur Kolë Duhanajt në vlerë prej 30 mijë euro.

I akuzuari Kolë Puka, për këto veprime po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parasë” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5, dhe 2.6 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera