Lajme

Prokuroria: Inspektim i jashtëzakonshëm në Brezovicë

Autori: Gazeta inFokus 14:19 | 04 August 2022

Autoritet në Kosovë, të enjten kanë filluar një inspektim të jashtëzakonshëm për skanimin e gjendjes në qendrën turistike “Brezovica”, tha për Radion Evropa e Lirë, Rasim Maloku, prokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Qëllimi i këtij aksioni është identifikimi i të gjitha objekteve ndërtimore, në cilën zonë janë dhe a kanë lejë ndërtimi. Sot e kemi skanuar gjendjen në terren, e identifikojmë cilën kadastrale gjendet, më pas vërtetojmë se a kanë leje objektet dhe pronë e kujt janë,” tha Maloku.

Në këtë inspektim kanë marrë pjesë përfaqësues të drejtorisë se Parkut Kombëtar “Sharri”, inspektorët e Ministrisë se Mjedisit, inspektorët komunal të Shtërpcës dhe zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

-Advertisement-

Ky inspektim, tha Maloku është në kuadër të hetimit “Brezovica”.

Për rastin “Brezovica” në muajin mars të këtij viti janë arrestuar shtatë persona, tre ish-zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.

Edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar 2022, Policia e Kosovës ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.

Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera