Lajme

Prindërit kosovarë që çdo ditë para fillimit të mësimit pastrojnë klasën e vajzës së tyre me fibrozë cistike

Autori: Gazeta inFokus 13:03 | 23 September 2021

Prindërit e nëntë vjeçares, Rizuana Rama, që vuan nga fibroza cistike çdo ditë pastrojnë klasën ku mëson vajza e tyre në mënyrë që ajo të mos ketë probleme me shëndetin.

Atdhe Rama, që është njëkohësisht edhe zëvendëskryetar në Shoqatën për persona me Fibrozë Cistike , në emisionin Doktor Plus që është prodhim i Gazetës Infokus ka thënë se tashmë janë mësuar të jetojnë me këtë stil jete duke iu përshtatur gjendjes të së bijës.

“Unë e kam një vajzë me këtë sëmundje e cila tash është 9 vjeçe. Trajtimi i kësaj sëmundje është kogja i shtrenjtë. Merr shumë kosto duke pasur parasysh që në Kosovë kemi mungesë të madhe të barnave dhe fatmirësisht fati jonë është që ne Klinikën e Pediatrisë në kuadër të QKUK-së kemi mjek fantastik të cilët e bëjnë një punë të palodhshme, gjatë orarit të punës por edhe pas tij, që me u kujdes që fëmijët me fibrozë cistike të kenë shëndet sa më të mirë”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Ndërsa trajtimi për këtë sëmundje sipas tij nuk është fare i lirë dhe se jo rrallë herë ka edhe mungesë të barnave.

“Nëse një fëmijë është në gjendje stabile kostot shkojnë rreth 500 euro për muaj, mirëpo nëse ka ndonjë simptomë të sëmundjes apo ndonjë bakter apo diçka atëherë kosto mujore shkon një mijë apo më shumë”, ka deklaruar Rama.

Fibroza cistike është një sëmundje gjenetike, pra një fëmijë lind me të dhe kjo gjendje e përcjell atë gjatë gjithë jetës.

Është një çrregullim i trashëguar multisistemik, që karakterizohet nga një bllokim dhe infeksion i rrugëve të frymëmarrjes, mangësi në tretje dhe nga pasojat e tyre.

Në vazhdim mund të ndiqni emisionin e plotë së bashku me storien për personat me fibrozë cisitke./Gazeta Infokus/ 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera