Lajme

Prezenca e shtuar te Ura e Ibrit, deklarohet KFOR-i

Autori: Gazeta inFokus 15:40 | 04 September 2024

KFOR sot u pa sërish me një prezencë të shtuar në Urën e Ibrit. Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh, por misioni i NATO’s në Kosovë po thotë se është pjesë e një trajnimi periodik që po kryhet nga ai.

KFOR ka thënë se personeli shtesë në urën kryesore mbi lumin Ibër është si pjesë e “trajnimit periodik”.

“Asetet dhe personeli shtesë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it (MSU) janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Kjo është pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij që një kohë të gjatë dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”, tha KFOR për Express.

-Advertisement-

KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.

Misioni i NATO-s tha se po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe se “mbetet vigjilent”.

“[KFOR] është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij nga OKB – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme – dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm relevant”.

KFOR-i përsëriti se vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë.

Këto trajnime të KFOR’it vijnë në mes përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të hapur Urën e Ibrit edhe për qarkullim të automjeteve. Qëndrimi i KFOR mbi këtë është se kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun e Brukselit.

Qëndrimin e njëjtë e kanë edhe partnerët e Kosovës që i kanë bërë thirrje Qeverisë që të mos e ndërmarrë një veprim të tillë në këtë kohë. SHBA ka thënë se kjo mund të rrezikojë edhe jetën e ushtarëve të KFOR’it e po ashtu edhe të qytetarëve.

Gjithashtu, së fundi Qeveria mori kritika nga vendet aleate edhe për një aksion policor që përfundoi me mbylljen e pesë komunave ilegale në veri të vendit.

Në reagimet e tyre, këto vende thanë se çështja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Një ditë pas këtij aksioni, më 31 gusht ushtarët e KFOR u panë te Ura e Ibrit dhe KFOR dha të njëjtën përgjigje se prezenca e tyre e shtuar ishte “përkohësisht” dhe si “pjesë e trajnimit periodik”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera