Lajme

Presidenti Thaçi bëri një gabim të madh si historian

Autori: Gazeta inFokus 15:36 | 10 June 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është historian me profesion. Por sot ai ka bërë një gabim rreth një ngjarjeje të madhe historike, të cilën edhe vet e ka cilësuar si ngjarjen më të rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive që nga koha e Skënderbeut e këndej. Bëhet fjalë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, shkruan AktivPress.

Duke përkujtuar 140 vjetorin e kësaj ngjarjeje, ai ka postuar një fotografi që nuk përkon me 10 qershorin e vitit 1878, por është e Lidhjes së Dytë të Prizrenit të vitit 1943. Këtë gabim të përcjellë edhe nga mediet por edhe nga personalitete të ndryshme e ka vërejtur Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Shqipëri, Dorian Koçi.

Duke e parë të udhës të jap një sqarim për këtë gabim të përsëritshëm, ai ka shpjeguar se objekti është i njëjti, por ngjarjet që janë zhvilluar brenda tij janë të ndryshme.

-Advertisement-

“Dy godinat që shikojmë në foto janë godina e Lidhjes së Prizrenit. E para është një foto e vjetër e shtëpisë të kthyer në simbol për shqiptarët, ndërsa e dyta është moment nga mbledhja kur u themelua Lidhja e II e Prizrenit nga nacionalistët shqiptarë në Kosovë në 1943”, ka sqaruar Koçi.

Personi në dritare, siç thotë ai, është Bedri Pejani, aktivist i çështjes kombëtare dhe pjesëmarrës aktiv në jetën politike në Shqipëri e Kosovë.

“Për fat të keq nuk kemi ndonjë foto apo gravurë që pasqyron momentin historik të 10 qershorit 1878”, sqaron Koçi, duke shtuar se “zakonisht në media dhe forume bëhet një gabim sepse kur flitet për Lidhjen e Prizrenit 1878 i bashkëngjitet dhe fotoja e dytë”.

Këtë gabim e bëri edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera