Lajme

Presidenti i lë në pritje të burgosurit

Autori: Gazeta inFokus 16:00 | 25 April 2017
Rreth 700 të burgosur që janë duke i vuajtur dënimet nëpër qendra korrektuese të Kosovës, kanë mbetur duke pritur kreun e shtetit nëse do t’i falë ose jo.Ata kanë shpresuar se presidenti do t’i “mëshironte” për Ditën e Pavarësisë, por edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ajo kohë, ende nuk kanë marr asnjë përgjigje në lutjet që i kanë bërë.

AktivPress ka kontaktuar Zyrën e Presidentit për të mësuar arsyen pse sivjet nuk është falur asnjë i burgosur, mirëpo zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë shprehur gatishmëri për të dhënë shpjegime për këtë gjë.

As kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behgjet Shala nuk ka njohuri se pse po zvarritet një proces i tillë, megjithëse ai pret që Thaçi do ta falë ndonjë të burgosur.

-Advertisement-

“Presidenti dhe komisioni i kanë kompetencat ta bëjnë publike listën e të falurve. Ne besojmë se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt. Do të ishte mirë që së paku të mos i lënë në pritje as ata që kanë kërkuar të falen, as Shërbimin Korrektues të Kosovës, as familjarët e të dënuarve, sikurse as ata që monitorojnë dhe avokojnë të drejtat e të dënuarve”, ka thënë ai për AktivPress.

Shala më tutje ka shtuar se në Kosovë asgjë nuk po ndodhë në kohën e paraparë. “Tash në Kosovë janë përzier gjërat aq shumë sa asgjë nuk po kryhet ashtu siç duhet dhe ashtu siç është paraparë. Ne si Këshill nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në këtë proces, pasi është e drejtë vetëm e presidentit. Ne vetëm mund të dalim më një thirrje publike që Presidenca apo presidenti të tregojë nëse ka falur të dënuar, sa i ka falur apo pse deri më tani nuk e ka bërë listën publike”, ka thënë ndër të tjerash kreu i KMDLNj-së.

Ai më tej ka shtuar se ky vendim i takon vetëm presidentit dhe nëse ai do mund edhe të mos falë asnjë të burgosur.
Megjithatë, sipas Shalës, do të ishte e pakuptimtë të ndodhte një gjë e tillë.
“Ne kemi informacione se për falje kanë aplikuar mëse 700 të dënuar. Një numër kaq i madh as që mund të vjen në shprehje se mund të falen. Më së paku që kemi kërkuar është që numri i të falurve nga presidenti të rritet në krahasim me vitet paraprake. Kjo pasi që ish-presidentja Atifete Jahjaga njëherë i patë falur 3 apo 4 katër të burgosur dhe një herë tjetër asnjë”, thotë Shala.

Ai kundërshton një vendim i cili do të falte fare pak të burgosur.

“Një veprim i tillë do t’i sillte probleme edhe shërbimit korrektues, edhe prokurorisë që të merret me të dënuarit, por edhe vet të dënuarve”, ka thënë Shala.

Në bazë të ligjit, e drejta për të kërkuar falje u njihet vetëm personave të shpallur fajtor për vepër penale dhe të dënuar me vendim përfundimtarë nga ndonjë gjykatë e Kosovës. Kriteret të cilat shqyrtohen gjatë marrjes së vendimit mbi Faljen caktohen nga vet presidenti në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në fuqi.

Ndërsa, rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm te: pesha e krimit; rreziku i recidivizmit; pendimi i sinqertë si dhe shfaqja e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm./AktivPress /

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera