Lajme

Pranon fajësinë i akuzuari për arratisjen nga Klinika e Psikiatrisë derisa ishte i privuar nga liria

Autori: Gazeta inFokus 13:53 | 27 August 2024

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari S.A., ka pranuar fajësinë për arratisjen nga Klinika e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), derisa ishte i privuar nga liria.

“I fajshëm”, tha i akuzuari S.A.
Një deklarim të tillë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardiana Veseli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuari A., u aprovua nga gjykatësja e rastit Naime Krasniqi-Jashanica.

-Advertisement-

Më pas, prokurorja Veseli i propozoi gjykatës që me rastin e matjes dhe shqiptimit të dënimit ndaj të akuzuarit si rrethanë rënduese të merret parasysh dashja e lartë e kryerësit për kryerjen e veprës penale.

Ndërsa në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuari A., avokatja Shemsije Asllani lidhur me shqiptimin e sanksionit penal kërkoi nga gjykata që si rrethanë lehtësuese të merret parasysh fakti se i mbrojturi i saj me vullnetin e tij të plotë ka pranuar fajësinë për gabimin që ka bërë, pasi që sipas saj i njëjti është penduar thellësisht.

“I njëjti kërkon ndjesë- falje të gjitha organeve kompetente që nuk do ta përsërisë një vepër të tillë penale, andaj i njëjti është edhe i moshës së re dhe i premton gjykatës që nuk do të përsërisë një veprim të tillë kurrë më”, tha tutje avokatja Asllani.

Sipas saj, veprimin e tillë i mbrojturi i saj e ka bërë pa vetëdije pasi që ka qenë edhe duke u trajtuar me medikamente mjekësore për shërimin e narkotikëve.

Se një vepër të tillë nuk do ta përsërisë më, gjykatës ia premtoi edhe vetë i akuzuari S.A.

“Jo, kurrë mo, se jam kanë në ndikim të drogës”, tha ai.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shtator 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, S.A., po akuzohet se më 13 korrik 2023 derisa i njëjti dhe vëllai i tij M.A., ishin në qendrën e mbajtjes në Prishtinë si të dyshuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” që kishte ndodhur një ditë më parë (12 korrik 2023), të njëjtët kërkojnë ndihmë mjekësore dhe sipas rekomandimeve të Ekipit të Urgjencës dërgohen në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

Më pas, aktakuza thotë se pasi që të akuzuarit S.A., me kërkesë të mjekut i hiqen prangat, i njëjti kërkon të shkojë në tualet dhe sapo del në korridor fillon të vrapojë me shpejtësi të madhe duke dalë jashtë, ashtu që arrin të largohet fillimisht në drejtim të Rrethit me Flamur, e më pas niset në drejtim të Fushë-Kosovës.

Me këto veprime, S.A., akuzohet se ka kryer veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria”, nga neni 397, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera