Pozicioni i ri i Kurtit me 6 kushtet për Asociacionin, ndërkombëtarët nuk flasin
Autori: Gazeta inFokus 13:50 | 05 February 2023
Asociacioni nuk kalon, ka thënë kryeministri Albin Kurti sa herë është pyetur për këtë çështje. Tashmë, ai ka lënë përshtypjen se do ta lë të kalojë, por për këtë ka vendosur disa kushte. Emisarët nga Brukseli dhe Washingtoni ende s’kanë thënë gjë për pozicionin e ri të Kurtit. Nga BE-ja nuk deshën të komentojnë, por zëdhënësi i Unionit përsëriti se e konsiderojnë urgjente çështjen e formimit të Asociacionit.
Kryeministri Albin Kurti të enjten e mori fjalën në një seancë të Kuvendit, pasi te pjesa e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputetët opozitarë ia çelën çështjen e Asociacionit, që është bërë temë e nxehtë këto ditë, pasi presioni ndërkombëtar u bë më konkret për themelimin e tij.
Pasi e mori fjalën, Kurti nuk i tha fjalët e tij të zakonshme për Asociacionin. Këtë herë ai renditi gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të bëhet i pranueshëm sipas tij. Ndër tjerash, Kurti tha se Asociacioni “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.
Kushti tjtër i Kurtit ishte që Asociacioni të mos jetë njëetnik.
“Duhet ta ndërrojë emrin, nuk mund ta bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale”, ka thënë ndër tjerash Kurti.
“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet europiane”, ka shtuar ai.
Një ndër kushtet e përmendura nga Kurti ishte edhe ai që para themelimit të Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke”. Këtë Kurti e tha si kushtin e pestë.
Kushti i fundit është që “presidenti serb [Aleksandar Vuçiq] duhet t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”.
BE-ja e konsideron urgjente formimin e Asociacionit
Bashkimi Europian ka përsëritur kërkesën e zakonshme që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha të premtën se nuk i komentojnë “të gjitha prononcimet e të tjerëve”, pasi u pyet nga Radio Evropa e Lirë lidhur me kushtet e vendosura nga Kurti.
Por ai tha se do ta përsëris “urgjencën që për BE-në ka lëvizja përpara e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, një prej të cilave është edhe ajo për Asociacionin”.
Të tjerët heshtin
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tani është kërkesë eksplicite e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pasi këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të hënën publikuan një shkrim përmes të cilit thanë se ka ardhë koha për ta implementuar marrëveshjen për Asociacionin, sot Ambasada Amerikane organizoi një takim për këtë çështje.
As Chollet, as Escobar dhe as ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier nuk reaguan pasi Kurti shpalosi kushtet përt Asociacionin.
Reagim nuk pati as nga Miroslav Lajçak, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe as nga Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Opozita thotë se Kurti do ta formojë Asociacionin
Opozita beson se Kurti do ta implementojë Asociacionin, ndonëse kundërshtimi ndaj tij ishte ndër kauzat e tij më të mëdha sa ishte në opozitë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha të enjten në Pressing në T7 se “Kurti bëri ndryshim radikal për herë të parë”. “Tani Asociacioni mund të bëhet”, tha ai.
“Deri vonë thoshte se nuk ka Asociacion dhe pikë. Tash paska ndryshuar dhe është shtuar një presje”, ka theksuar Abdixhiku.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha të enjten në seancën e Kuvendit se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksnadar Vuçiq janë koordinuar që atë ditë në Kuvendet përkatëse në Prishtinë dhe Beograd të flasin për marrëveshjen.
Ai tha se “Qeveria Kurti do ta themelojë Asociacionin”.
“Qeveria Kurti do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vendin tonë. Pra, ky moment, kjo ditë, duket të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, pra mes kryeministrit tonë dhe presidentit serb, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment janë duke dhënë këto lajme”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq sipas AAK-së, gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin janë “vetëm fjalë”.
“Nuk duhet të ndalemi te formulimi i kushteve, pasi Kurti e ka bërë të zakonshme të formulojë kushte me fjalë nëpër mediat tona dhe Kuvend. Duhet të ndalemi te qëndrimi, që ka ndryshuar skajshmërisht. Ato kushte janë vetëm për efekte mediatike. Është tjetër plasimi i kushteve në tavolinën e negociatave, dhe tjetër vetëm formulimi”, ka thënë Labinot Bislimi, anëtar i Kryesisë së AAK-së.
Të tjera
-
Dhuratat që i shkëmbyen Kurti dhe Erdogan gjatë takimit në kompleksin presidencial turk
Kryeministri I Kosovës Albin Kurti është takuar sot me Presidentin e Turq...
-
Aksion i policisë në Leposaviq, konfiskohen dhjetëra uniforma të policisë serbe
Policia e Kosovës gjatë të premtes pasdite ka përfunduar aksionin policor...
-
Në vitin 2030 pritet të përfundojë pastrimi i Kosovës nga mi*nat e luf*tës
Nga 4,520 zona të rrezikshme nga minat në të gjithë Kosovën, pas luftës, tash...
-
Kurti dhe shefi i diplomacisë turke bisedojnë për projekte të përbashkëta
Krahas takimit dhe drekës së punës me Presidentin e Turqisë, Erdogan, bashkë ...
-
Haradinaj: Jemi këmbëngulës për ta bërë Kosovën anëtare të NATO-s
Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marr...
-
1 Qershori, dita pa makina në Tiranë
Për qytetarët e Tiranës e shtuna e 1 qershorit do jetë “Ditë pa makina”, ku q...
-
Kurti vizitoi dhe vendosi kurorë me lule në Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürkut
Pas takimit bilateral me Presidentin e Turqisë, Erdogan, kryeministri i Kosov...
-
Dronët Bayraktar testohen në Aeroportin e Gjakovës
Dronët Bayraktar janë testuar të premten në hapësirat e aeroportit të Gja...
-
Arrestohet një grua nga Vitia e arma*tosur në Prishtinë, dyshohej se mund ta lëndonte veten apo personat tjerë
Policia e Kosovës ka njoftuar se një tentimvrasje ka ndodhur sot në qytetin e...
-
Tentoi ta fuste telefonin në burg duke e fshehur në televizor
Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një...
-
Për pesë muaj shqiptohen afro 1800 gjoba ndaj konsumuesve të duh*anit në ambiente të mbyllura
Ministria e Shëndetësisë po vazhdon pa kompromis zbatimin e Ligjit për Kontro...
-
Lista Serbe: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpronësime në veri, rrëmbim klasik i pronës serbe
Lista Serbe tha sot se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e prona...