Lajme

Politika e jashtme e Kosovës konsiderohet e përgjumur

Autori: Gazeta inFokus 14:38 | 06 November 2021

Politika e jashtme në mandatin e Qeverisë Kurti konsiderohet si pasive dhe e përgjumur. Shkarkimi i ambasadorëve, moratoriumi, zgjedhjet lokale dhe dialogu me Serbinë shihen si ndër arsyet e pasivitetit për lobimin në njohje të reja, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe liberalizim të vizave. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkojnë nga krerët institucionalë të kenë vizion të qartë dhe dinamikë më të madhe për ta avancuar politikën e jashtme të vendit.

Hulumtuesi në Demokracia Plus, Emir Abrashi, thotë për KosovaPress se Qeveria Kurti ka bërë politikë të jashtme me politikën e brendshme dhe politikë të brendshme me politikë të jashtme.

“Në këta muajt e fundit që nga marrja e mandatit nga Qeveria aktuale ne e kemi pasur një politik të jashtme të përgjumur. Nuk e kemi pasur një politikë të jashtme aktive dhe as më pak nuk kemi pasur një politikë të jashtme që ka bërë politikë të jashtme. Ne deri tani kemi bërë politikë të jashtme me politikën e brendshme dhe kemi bërë politikë të brendshme me politikën e jashtme. Ka pasur një mungesë qartësie në termet kryesore bazike të diplomacisë. Në anën tjetër kemi pasur një mungesë të vizionit se si do t’i qasemi marrëdhënieve fillimisht bilaterale dhe pastaj multilaterale me të gjitha shtetet e tjera”, thotë ai.

-Advertisement-

Mungesën e rezultateve konkrete në politikën e jashtme, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e ndërlidh me një mori çështjesh.

Ai thotë se pas zgjedhjeve lokale dhe me emërimin e ambasadorëve të rinj duhet një angazhim shtesë për një diplomaci të mirëfilltë.

“Në këto shtatë muaj ka pasur një lloj lëvizje më të vogël që kemi pritur. Në kuptimin se ka qenë moratoriumi, zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet lokale, le të themi edhe një ambienti politik që është dominuar nga dialogu Kosovë-Serbi. Por besoj se tash e tutje edhe me emërimet e të gjithë ambasadorëve të rinj Kosova do të jep një imput shtesë dhe ta jep atë fuqinë në këtë maratonën e gjatë të politikës së jashtme. Të aplikojë në organizata ku mund të pranohet, të shikojë vendet ku mund të ketë njohje të reja. Po ashtu është e rëndësishme që Kosova të thellojë bashkëpunimin me këto shtetet që na njohin. Pasi problemi përveç njohjeve të reja është që duhet të sigurohet, por edhe me shtetet që na kanë njohur dhe tash po i pezullojnë marrëdhëniet diplomatike me ne. Si përgjithësi nuk ka pasur një zhvillim dinamikë të politikës së jashtme në këtë periudhë shtatë mujore”, deklaron Fetahu.

Nga ana tjetër, Abrashi nga Demokracia Plus, shton se krerët institucionalë në Kosovë kanë pasur vizita të pakta në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, edhe ato që i kanë pasur nuk kanë sjellë asgjë konkrete për vendin.

“Deri tani kemi pasur shumë pak vizita të krerëve tanë institucionalë jashtë Kosovës, kemi pas disa vizita të kryeministrit në Bruksel, kemi pas disa vizita nga eksponentë të tjerë të Qeverisë së Kosovës kryesisht në vendet e Evropës. Kemi pasur dy vizita deri tani të presidentes në SHBA dhe së fundi kemi pas edhe një vizitë të ministres së Punëve të Jashtme në dy nga vendet e Gjirit Persik. Kjo tregon se MPJD, diplomacia dhe institucionet e Kosovës akoma nuk e kuptojnë peshën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Deri tani nga vizitat që janë zhvilluar jashtë Kosovës nuk ka pasur asgjë konkrete që ka ardhur nga ato vizita. Vizitat e presidentes në SHBA kanë shkuar pa asnjë takim përmbajtjesor me zyrtarë të lartë të administratës Biden”, thotë ai.

Ndërkohë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane ditë më parë, tha se kanë përpiluar një strategji për njohje të reja, derisa bëri të ditur se pa siguruar të gjitha votat nuk aplikojnë në organizata ndërkombëtare.

“Statusi i Kosovës është dobësuar me kalimin e viteve, entuziazmi fillestar i vitit 2008-2009 që është i natyrshëm, ku është arritur një numër i madh i njohjeve ndërkohë. Tash ka ardhur koha që kemi një stagnim, përveç njohjes së re nga Izraeli nuk kemi njohje të reja. Gjatë këtyre viteve është shumë e rëndësishme që në dy shina paralele, në njërën anë të kemi 5 shtetet jo njohëse të BE-së dhe anën tjetër të punojnë intesivisht në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale që nuk na kanë njohur. Por edhe shtete që na kanë njohur, por as nuk kemi marrëdhënieve diplomatike dhe aktivitet të përbashkët. Ne konsiderojmë se vetëm kjo strategji në disa binarë e mundëson një përmirësim dhe forcim të Kosovës në arenën ndërkombëtare, i cili është i domosdoshëm… Një strategji afatgjatë neve na ruan nga gabimet që mund të bëjmë gjatë procesit. Unë nuk ju tregoj asgjë të re kur them se anëtarësimi në organizata ndërkombëtarë bëhet në disa etapa. Ne bëjmë njëherë identifikimin, strategjinë tonë si t’i qasemi secilës veç e veç. Ne as në publik nuk dalim dhe as nuk fillojmë aplikimin, pa u siguruar votat për anëtarësim”, tha ajo.

Ndër njohjet e vetme viteve të fundit për Kosovën ka qenë ajo e Izraelit që u arrit në vitin 2020, si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit. Ndërkohë, gjatë këtyre vjetëve, Serbia gjithmonë ka paralajmëruar tërheqje të njohjeve për Kosovën. /KosovaPress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera