Lajme

Policia publikon masat e sigurisë për përdoruesit e trotinetëve elektrik

Autori: Gazeta inFokus 12:39 | 03 July 2024

Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjilanit ka nisur një fushatë vetëdijësuese për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për përdorimin e sigurt të trotinetëve elektrik.

Në kuadër të fushatës, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan ka theksuar disa këshilla të rëndësishme për përdoruesit e trotinetëve elektrik:

-Mosha e shoferit të trotinetit: Fëmijëve nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç nuk u lejohet të drejtojnë trotinetin elektrik në rrugë publike. Qiradhënësit që shkelin këtë rregull do të gjobiten.

-Advertisement-

-Kontrolloni pajisjen para nisjes: Sigurohuni që trotineti është në gjendje të mirë pune duke kontrolluar frenat, dritat dhe baterinë para çdo udhëtimi.

-Respektoni rregullat e trafikut: Përdoruesit duhet të respektojnë të gjitha rregullat e trafikut, përfshirë semaforët dhe shenjat e rrugës.

-Kujdes në zonat e ngjeshura: Në zonat me shumë këmbësorë, ulni shpejtësinë dhe bëni kujdes për të mos rrezikuar të tjerët. Përdoruesit duhet të shfrytëzojnë shiritin për biçikleta ose shtegun e përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë. Gjithashtu ndalohet të lëvizni krahas mjetit tjetër.

-Përdorni dritat dhe reflektorët: Sigurohuni që trotineti ka drita funksionale dhe reflektorë, veçanërisht kur udhëtoni natën ose në kushte të dobëta ndriçimi.

-Mos përdorni pajisje elektronike gjatë udhëtimit: Evitoni përdorimin e telefonit ose pajisjeve të tjera elektronike gjatë drejtimit të trotinetit për të shmangur shpërqendrimin dhe rrezikun e aksidenteve.

-Vetëm një person në trotinet: Përdorimi i trotinetit nga më shumë se një person është i rrezikshëm dhe në kundërshtim me ligjin.

-Respektoni mjedisin: Parkoni trotinetët në vende të përcaktuara dhe mos bllokoni trotuaret ose hyrjet e ndërtesave.

Policia e Gjilanit bën thirrje për bashkëpunim nga qytetarët në zbatimin e këtyre masave, duke kontribuar kështu në një mjedis më të sigurt dhe të qetë për të gjithë përdoruesit e rrugëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera