Lajme

Policia me aksion në Pejë e Gjakovë, konfiskon dy kallashë, pistoleta, fishekë e predhë trombloni

Autori: Gazeta inFokus 12:56 | 25 August 2022

Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, të enjten ka arrestuar katër persona në Pejë dhe një në Gjakovë pas dy operacioneve të ndara, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas policisë, në Pejë janë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse prona të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave dhe dëshmive.

“Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse prona të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave dhe dëshmive ku janë gjetur dhe konfiskuar:

-Advertisement-

• Pesë armë (një AK-47 dhe katër revole),

• Një predhë trombloni,

• Dyqind fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dëshmi tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, në operacionin e zhvilluar në Gjakovë policia ka arrestuar një person pasi i njëjti në një zonë malore në fshatin Lug-Bunar – Gjakovë kishte kultivuar bimë narkotike të llojit ‘kanabis sativa’ ku janë gjetur gjithsej 107 bimë me një gjatësi prej 2.5m të cilat me udhëzim të prokurorit kompetent janë shkatërruar, ndërsa një pjesë e tyre janë marrë për ekzaminim.

“Si rezultat, në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e tij është kryer kontroll ku janë gjetur dhe konfiskuar:

• Një armë automatike AK-47 me karikator dhe shtatëmbëdhjetë fishekë,

• Një karikator i revoles me njëmbëdhjetë fishekë

Në lidhje me rastet e cekura për të gjitha veprimet e marra është njoftuar prokurori kompetent me aktvendim të së cilit ndaj të dyshuarave është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International

Të tjera