Lajme

Policia bastis shtëpinë e asamblistit të Vetëvendosjes, dyshohet për kryerjen e disa veprave penale

Autori: Gazeta inFokus 09:58 | 21 September 2022

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës kompetente është duke zhvilluar një aksion në kuadër të hetimeve të rastit ‘Brezovica’, ku po bastisen disa lokacione në lagjet e njohura të Prishtinës.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se bastisje është kryer edhe në lagjen Dardania, në shtëpinë e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Berat Lahu.

Kontrolli po kryhet nën dyshimet e kryerjes së veprës penale ‘Marrje ryshfetit në ndihmë’, ‘Ushtrimi i ndikimit’, ‘Fajdeja’ dhe ‘Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale’.

-Advertisement-

Ndërkohë aksionin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha se po vazhdon operacioni policor ‘Brezovica 6’.

“Policia e Kosovës, konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor “Brezovica 6”, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni, do të bëhen të ditura pas përfundimit”, tha Kelani.

Prokuroria ka urdhëruar ndalimin policor për personat që janë subjekt i urdhrit të kontrollit.

Mësohet se deri më tani janë duke u sekuestruar sende të luajtshme si kompjuterë, laptopë, USB, telefona, para, armë dhe vetura në vlerë të konsiderueshme.

Kryeprokurori i Prokrurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se aksioni “Brezovica 6” nuk ka përfunduar ende, teksa konfirmon se ka persona të cilët janë shoqëruar në polici.

Kryeprokurori Jashari tha se pas përfundimit të aksionit prokuroria do të dal me një komunikatë për media.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera