Sport

Polemika pafund, Barcelona në kaos total para sfidës ndaj Interit

Autori: Gazeta inFokus 10:25 | 01 October 2019

Fitorja kundër Getafes në transfertë nuk ka shërbyer aspak për të rikthyer qetësinë në kampin e Barcelonës. Aty zotëron kaosi dhe situata nuk është aspak normale. Është shndërruar në një ekip ku çështjet nisën në verë dhe duket se nuk kanë fund. Sapo mbyllet një polemikë, fillon një tjetër.

E fundit ishte deklarata e mbrojtësit Xherard Pike, i cili pas ndeshjes u dha një mesazh kërcënues dhe të qartë drejtuesve duke lënë të kuptohet se disa prej tyre përdorin mediat për t’u bërë presion dhe për t’u dhënë mesazhe të koduara. “Kur dy palë nuk duan ta shqetësojnë njëri-tjetrin, nuk ka diskutime.

Ne e njohim mirë klubin, e dimë se cilat janë mediat pranë tij dhe çfarë artikujsh shkruajnë për ne. Nuk duam që t’i bëjmë keq njëri-tjetrit. Qëllimi ynë është të dalim në fushën e lojës dhe të fitojmë tituj. Shpresojmë që askush të mos na provokojë, sepse në një luftë nuk ka kurrë të fituar”, tha Pike. Mbrojtësi qendror i Barcelonës është një nga peshat e rënda në dhomat e zhveshjes dhe kurrë nuk është menduar dy herë për të thënë gjithmonë të vërtetën.

-Advertisement-

Nejmar – Pak ditë më parë ishte gjyqi i Nejmarit dhe i Barcelonës. Braziliani donte që të rikthehej në Katalonjë për të luajtur, por në fakt po vazhdon betejën ligjore për një bonus të munguar në drejtim të tij. Në temën e rikthimit të Nejmarit te Barcelona ka patjetër shumë hije dhe mister. Leo Mesi ishte ai që lëshoi një batutë të papritur për drejtuesit e Barcelonës.

“Nuk e di nëse klubi bëri të pamundurën për ta transferuar. Nuk e di realisht nëse klubi e donte apo jo”, tha Mesi. Por skandali i kësaj teme ishte dyfish: Nejmar jo vetëm që nuk erdhi, por disa futbollistë u ndien të ofenduar, sepse do të përdoreshin si shkëmbim për brazilianin.

Njëri prej tyre ishte Rakitiç, i cili në të shkuarën kishte qenë i paprekshëm i Valverdes. Këtë vit e ka nisur sezonin shumë keq, i injoruar dhe me presion. Kjo polemikë kulmoi me dorëheqjen e Hordi Mestres dhe largimin e papritur të Pep Seguras. Transferimi i Grizmanit nuk ishte aspak i lehtë për Barcelonën, pasi francezi një vit më parë i kishte refuzuar. Federata hetoi bisedimet mes klubit katalanas dhe ishsulmuesit të Atletikos dhe e gjobiti me 300 euro.

Dembele – Por “tërmetet” nuk kanë përfunduar. Ata vazhdojnë të shkaktojnë shumë paqëndrueshmëri në skuadër. Një tjetër temë e nxehtë është ajo e sulmuesit Dembele.

Edhe ai do të përdorej nga drejtuesit si shkëmbim për Nejmarin. Në 7 javët e para të kampionatit, francezi është dëmtuar dy herë dhe kjo ka bërë që trajneri Valverde ta humbasë besimin. Artur Melo në fushën e lojës është duke bërë mirë, por jashtë saj nuk po tregon disiplinë. Ai e kaloi mbrëmjen me Nejmarin kur ky i fundit erdhi për gjyqin, diçka që nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve katalanas.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera