Sport

Pique shpërthen në lot: “Nëse më shohin si problem, jam gati të lë Spanjën”

Autori: Gazeta inFokus 15:53 | 02 October 2017

Ndeshja mes Barcelonës dhe Las Palmasit, e fituar nga katalanasit 3:0, u përfshi pashmangshmërisht nga zhvillimet e referendumit të përgjakur të ditës së diel, e pasoja më e dallueshme ishte zhvillimi i saj me dyer të mbyllura, edhe pse nuk kishte një dënim për ekipin “blaugrana”.

Gerard Pique, një “puro” katalanas që nuk e ka fshehur kurrë, u përlot gjatë komenteve për dhunën e paparë që u demonstrua gjatë ditës së referendumit për shkëputjen e rajonit të Katalunjës nga Spanja, teksa fliste për mediet pas ndeshjes.

“Nëse për Federatën spanjolle të Futbollit, apo për dikë në veçanti jam një problem, do ta pranoj dhe për mua nuk është aspak problem që të tërhiqem nga kombëtarja spanjolle përpara Botërorit të Rusisë”, ishin fjalët e para të Pique teksa fliste për qëndrimin e tij të hapur pro referendumit të pavarësisë së Katalunjës.

-Advertisement-

“Koha kur në Spanjë nuk votohej quhej frankizëm (diktatori Franco), ndërsa unë jam krenar që jam katalanas”, ka thënë mbrojtësi i Barcelonës. “Kreu i qeverisë Mariano Rajoy gënjen. Thotë se jemi një pakicë, por ne jemi miliona vetë. Në 7 vite nuk kemi pasur asnjë episod dhune, edhe pse kemi qenë nën trysninë e tyre. Por niveli i atij (Rajoy) shihet dhe po përhapet në mbarë botën, madje ai nuk di as anglisht”, ka thënë ndër të tjera Pique, raporton TCH.

“Kur jemi përpara një procesi elektoral, mund të votohet me po ose jo, por mund të lihet edhe fleta e bardhë. Por gjithmonë duhet të votosh, sepse është e drejtë që ta dhuron demokracia dhe të gjithë duhet ta mbrojmë këtë të drejtë themelore”, tha Pique nga dhomat e zhveshjes së “Camp Nou”.

“Por çfarë po ndodh sot (dje)? Garda Civile bëri gjithçka mundej për të na penguar. Dua të deklaroj hapur se sot ndihem më shumë se kurrë një katalanas dhe jam krenar për këtë. Jam krenar edhe për popullin e Katalunjës, që në këto vite nuk kanë shënuar asnjë rast të dhunshëm”.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera