Lajme

Përfundon për sot seanca gjyqësore në Hagë, shkak problemet teknike

Autori: Gazeta inFokus 16:57 | 07 December 2021

Seanca gjyqësore në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka përfunduar më herët për shkak të problemeve teknike në Dhomat e Specializuara.

Pas pauzës ishte paraparë të vazhdojë dëshminë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, por Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se për shkak të vështirësive për video-lidhje mes sallës së gjyqit dhe njësisë së paraburgimit në Hagë, seanca do të vazhdojë nesër.

Derisa Hysni Gucati ka dëshmuar në sallën e gjyqit, Nasim Haradinaj e ka ndjekur seancën në distancë për shkak të infektimit me koronavirus. Por, në pjesën e fundit të seancës, janë shfaqur probleme teknike dhe Haradinaj nuk ka mundur të përcjellë gjykimin.

-Advertisement-

Meqë Dhomat e Specializuara nuk kanë arritur të rivendosin lidhjen, seanca pritet të vazhdojë nesër (e mërkurë).

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka vazhduar dëshminë e tij për ditën e dytë me radhë ku ndër të tjera ka thënë se zyrtarët e organizatës së veteranëve të UÇK-së nuk kanë publikuar emra apo deklarata të dëshmitarëve të cilat mund të kenë qenë në dokumentet e sekuestruara në zyrat e OVL-UÇK-së.

Ai ka thënë se kanë synuar që të dëshmojnë se Gjykata Speciale bashkëpunon me Serbinë, çka sipas tij është treguar në dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK-së, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /KP

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera