Lajme

Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë lirimin e masave kundër COVID-19

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 03 February 2022

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kërkon nga Qeveria që të lehtësohen masat kundër COVID-19, ashtu siç kanë vepruar vendet e rajonit dhe më gjerë.

OAK kërkon që përmes vendimit të ri që të largohet ora policore e gjithashtu të mos ndalohet dhe kufizohet ushtrimi i veprimtarisë për bizneset, marrë parasysh që kapaciteti që shteti ynë ka për përkrahje financiare të këtyre të fundit është tejet i kufizuar.

“Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë te sektorët e caktuar po ndikon edhe në mirëqenien e përgjithshme shoqërore, marrë parasysh faktin që bizneset të cilat nuk funksionojnë e kanë të pamundur të paguajnë pagat e stafit për periudhën që janë të mbyllur, qiratë dhe kreditë. Në këtë mënyrë, personat të cilët punojnë në sektorët të cilëve u ndalohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë, po mbesin të pa punë e gjithashtu pa të ardhura për të njëjtën periudhë kohore, ani pse një pjesë e bizneseve po tentojnë që të paktën të ju bëjnë një kompensim të pjesshëm”, thuhet në komunikatë.

-Advertisement-

Kjo odë thotë se përveç kësaj, bizneseve të cilat e kanë të ndaluar ushtrimin e veprimtarisë në mënyrë të plotë, apo të pjesshme, siç është sektori i gastronomisë po u shkaktohen edhe dëme tjera financiare, pasi që produktet që ata përdorin janë me afat të shkurtë skadence.

“Kufizimi i ushtrimit të veprimtarisë të sektorit të gastronomisë po dëmton një zinxhirë të bizneseve të sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë këtu prodhuesit e produkteve ushqimore siç janë pijet, ushqimi, mobilieritë apo organizuesit e ngjarjeve. OAK në vazhdimësi kërkon nga komuniteti i biznesit që të respektohen masat e vendosura nga institucionet vendore, mirëpo njëkohësisht kërkon edhe nga Qeveria e Kosovës që masat të jenë lehtë të zbatueshme, inspektorët të kontrollojnë bizneset të cilat bëjnë shkeljen e tyre e gjithashtu të ofrohet përkrahje financiare për bizneset e prekura nga masat. OAK konsideron që lirimi i masave do të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e shoqërisë në përgjithësi, e gjithashtu edhe komuniteti i biznesit”, përfundon OAK.

Ndryshe, Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë do të shqyrtojë sot masat për pandeminë COVID-19.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera