Për kthimin e forcave serbe në Kosovë “vendos KFOR-i”, jo Beogradi
Autori: Gazeta inFokus 19:31 | 09 December 2022
Një ditë pasi autoritetet në Serbi thanë se po shqyrtojnë dërgimin e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë, nuk dihet shumë nëse dhe në çfarë mënyre do të mund të bëhej një gjë e tillë.
Në përgjigje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të ketë kurrë më policë dhe ushtarë të Serbisë”.
Me paralajmërimin e tyre, autoritetet në Beograd iu përgjigjën pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.
Deri te kjo erdhi një muaj pasi serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, përsëriti të premten atë që tha një ditë më herët shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviq – se Serbia ka të drejtë të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Policia serbe dhe ushtria jugosllave janë tërhequr nga Kosova në verë të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave.
Që atëherë, në Kosovë është vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili aktualisht ka rreth 3.600 trupa.
“Kërcënim me agresion”
Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Arsim Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rezoluta 1244, por edhe aktet kushtetuese të Kosovës tregojnë qartë se Serbia nuk mund të ketë forca të sigurisë në Kosovë.
“Në aspektin juridik kushtetues, Kosova ka integritet të plotë territorial, të garantuar me deklaratën e pavarësisë dhe me Kushtetutën e saj, e të konfirmuar me opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çfarëdo provokimi i Serbisë për dërgimin eventual të trupave serbe është një kërcënim me agresion kushtetues”, thotë Bajrami.
Sipas tij, Rezoluta 1244 ka mandatuar forcën multinacionale të KFOR-it për të garantuar kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës.
Bajrami kujton, po ashtu, se me Marrëveshjen e Kumanovës, Serbia ka pranuar tërheqjen e plotë të forcave të saj nga Kosova dhe thekson se nuk ka asnjë të drejtë për dërgimin e forcave serbe në Kosovë.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Çuni, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë se “asnjë e drejtë politike, juridike, morale dhe historike nuk është në favor të angazhimit të forcave serbe në Kosovë”.
“Jo forcë, por asnjë ushtar serb i vetëm nuk ka të drejtë të shkelë në territorin e Kosovës”, thotë Çuni.
“Deklaratë populiste, por e rrezikshme”
Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar të Beogradit për Politika Strategjike, thotë për REL-in se Serbia nuk mund të vendosë vetë se kur do të dërgojë trupa në Kosovë.
Sipas tij, një vendim i tillë nuk mund të shqyrtohet pa KFOR-in dhe OKB-në.
“Është një deklaratë populiste e drejtuar kah opinioni i brendshëm politik, por mjaft e rrezikshme. Ajo zgjon të gjitha instinktet nacionaliste të popullit tonë”, thotë Lluniq.
Misioni i KFOR-it nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se si i komenton paralajmërimet nga Serbia.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike me seli në Beograd, thotë se “nuk është e ndaluar” që dikush të shqyrtojë diçka, por se në këtë rast “nuk është e dëshirueshme”.
“…sepse mund dhe tashmë po shkakton pasoja më të gjera – edhe te njerëzit, duke nxitur drejtpërdrejt frikën e luftës, edhe tek akterët ndërkombëtarë që merren me Ballkanin Perëndimor”, thotë Janjiq.
Ai shton se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në Kosovë u krijua një “realitet i ri”.
Që atëherë, thotë ai, janë nënshkruar “një sërë dokumentesh”, si me Bashkimin Evropian, ashtu edhe me NATO-n, me të cilat “është rregulluar kufiri”.
Janjiq thotë se dështim i BE-së është se që nga viti 2011, kur kanë filluar negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, e deri më sot, “ka refuzuar të vendosë në agjendën e dialogut një paketë të sigurisë, e cila do t’i përcaktonte qartë kanalet e bashkëpunimit në sektorin e sigurisë”.
“Marrëveshja e Brukselit thotë vetëm një gjë – të cilën Serbia ka filluar ta shkelë – ‘të integrohen strukturat e ndryshme të sigurisë në sistemin e Kosovës’. Nuk ka pasur konsistencë nga ana e BE-së në monitorimin e zbatimit të kësaj”, thotë Janjiq.
Me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2013, është përcaktuar se në Kosovë do të ketë një forcë të vetme policore, të quajtur Policia e Kosovës, dhe se e gjithë policia në veri të Kosovës do të integrohet në kornizën e Policisë së Kosovës.
Në fillim të nëntorit, serbët nga veriu i Kosovës – të mbështetur nga Beogradi – janë larguar nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zëvendësuar targat e paligjshme serbe me targat që i lëshon vetë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të premten, shprehën shqetësim për situatën në veri, ndërsa partitë opozitare kërkuan nga Qeveria që të jetë e përgjegjshme për veprimet që i ndërmerr.
Ata gjithashtu kërkuan që Qeveria të koordinojë çdo veprim me Shtetet e Bashkuara.
Të tjera
-
Mbrojtja propozon të kryhet ekspertizë e re psikiatrike ndaj të akuzuarit për vrạsjen e vëllait
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, mbrojtësja e të a...
-
Sarrazin i kërkon Qeverisë t’i heq masat ndaj mallrave serbe, flet për pasoja të rënda në rast të refuzimit
Manuel Sarrazin, emisar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor ka bërë një ana...
-
Gjermania hap dyert për 250 mijë emigrantë të këtij vendi
Gjermania do të hapë dyert për 250 mijë punëtorë kenianë të kualifikuar dhe g...
-
“Qëllimi jonë është Islamizimi i Kosovës e Preshevës. Unë nuk jam shqiptar”, hoxha nga Sanxhaku me deklaratë të rrezikshme
Një hoxhë nga Sanxhaku, që flet shqip ka mbajtur sot një tubim në Luginën e P...
-
Lista preliminare e provimit për prokurorë të shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës shpall listën preliminare të provimit të kandi...
-
REL: Kosova dhe Serbia kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 17 shtatorit
Burimet e Radios Evropa e Lirë në Bashkimin Evropian kanë thënë se presin që ...
-
Ra nga kati i tretë i objektit ku punonte, vdes 48 vjeçari në Prizren
Një person ka vdekur sot në vendin e tij të punës. Rasti ka ndodhur në Pri...
-
Parlamentari serb: Vuçiq shpalli kapitullimin në Kosovë
Deputeti opozitar në Parlamentin e Serbisë, Zdravko Ponosh, ka reaguar pas ko...
-
Haziri pas konferencës së Vuçiqit: Kosova mos të bie në hendekun e Serbisë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas konferencës që mbajti pres...
-
Incidenti në veri, kthehen afishet, tash pro-Radoiçiqit
Sikur fotografia, me kujdes janë zgjedhur edhe fjalët. Kryeterroristit Mil...
-
Kurti me videolidhje pjesë e panelit ku ishte edhe Lajçak – akuza Vuçiqit se e përdor Kosovën dhe Bosnjën për të siguruar lëshime nga Perëndimi
Gjatë paradites së 13 shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me vide...
-
Përkundër që ndau rrugët me Vetëvendosjen, Fatmir Humolli përkrah qeverisë për veriun
Deputeti Fatmir Humolli ka një kohë që i ka ndarë rrugët me Lëvizjes Vetëvend...