Lajme

PDK thotë se Qeveria po u bën presion kryetarëve të saj në Veri për procedurën e betimit

Autori: Gazeta inFokus 15:33 | 22 May 2023

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, akuzoi MAPL-në se po ushtron presion te kryetarët e komunave veriore nga kjo parti. “Ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin të datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave”, tha ai.

Kërkesat për ndërrimin e datës dhe vendit për mbajtjen e seancave, i ka konfirmuar edhe kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Ai këto i quajti “mospajtime”. Mirëpo, Zeqiri dhe dy kryetarët e komunave tjera në Veri, kanë kohë deri të dielën për të kryer procedurën e betimit, në të kundërtën ata e humbasin mandatin.

-Advertisement-

Betim Gjoshi nga PDK tha se kryetarët nga kjo parti që kanë fituar në Zveçan dhe Zubin Potok, po përballen me “presion dhe nënçmim nga zyrtarë e segmente të Qeverisë, posaçërisht nga MAPL”.

“Ka disa ditë që dy Kryetarët e Komunave nga radhët e PDK-së, të cilët kanë fituar në Zveçan dhe në Zubin Potok, po përballen me presion dhe nënçmim nga zyrtarë e segmente të Qeverisë, posaçërisht nga MAPL. Të dy komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por, Ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin të datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave”, ka shkruar Gjoshi dje në Facebook.

Kërkesat e MAPL-së për ndërrimin e datës dhe lokacionit i ka konfirmuar Izmir Zeqiri, kandidati i PDK-së që doli fitues në Zubin Potok. Ai për Express tha se janë në plan e sipër të përgatitjeve.

“Ne i kemi disa…nuk dua të them mosmarrëveshje. Jemi në plan e sipër të përgatitjeve. Kemi pasur mospajtime rreth agjendës, rreth datës dhe vendit. Ka kërkuar ndërrimin e vendit dhe datës, tha ai.

Kur u pyet rreth datës dhe orës së mbajtjes së seancës solemne, Zeqiri tha që do të mbahet “brenda javës që t’i zëmë afatet”.

Erden Atiq u betua të premten si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut
Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u betua të premten. Ai mori më së shumti vota në zgjedhjet e 23 prillit që u karakterizuan me dalje të ulët të qytetarëve.

Të premten, para mbajtjes së seancës solemne, në objektin e komunës u vendos flamuri i Kosovës.

Vendimi i parë që Atiq mori, ishte emërimi i Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetare të Komunës.

Atiq, pas betimit tha se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.

Atiq tha se bashkë me ekipin e tij synim ka normalizimin e gjendjes në këtë komunë të veriut.

Afati për të kryer betimi mbaron më 28 maj
Përveç Erden Atiqit, janë edhe tre kryetarë të komunave veriore që ende nuk janë betuar. Bëhet fjalë për Izmir Zeqirin në Zubin Potok, Lulzim Hetemin në Leposaviq dhe Ilir Pecin në Zveçan.

Zgjedhjet në Veri u mbajtën më 23 prill, ndërsa rezultatet u certifikuan më 28 prill, kështu 28 maji u vendos si afati i fundit për ta dhënë betimin.

Pra Peci, Zeqiri e Hetemi kanë kohë deri më 28 maj ta japin betimin, në të kundërtën e humbasin mandatin.

Hovenier kërkoi kryetarë me “rol teknik”
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në katër komunat veriore ishin “konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”, mirëpo shtoi se kryetarët e rinj të komunave në Veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.

“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur”, tha ai në një intervistë për Telegrafin.

Ambasadori amerikan deklaroi se pret nga kryetarët e rinj që të marrin rol teknik dhe jo politik.

“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori.

Hovenier tha se çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre, do të përballet me dënim të ashpër nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera