Lajme

PDK me tri kërkesa: Ndryshimi i ligjit për Hagën, mbështetje mbrojtjes së krerëve të UÇK-së dhe protesta

Autori: Gazeta inFokus 19:04 | 25 September 2026

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht një Deklaratë Politike lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe situatën politike e institucionale në vend.

Përmes kësaj deklarate, PDK kërkon nga Kuvendi votimin e Projektligjit të saj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje të pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe mbështet protestat kundër vendimeve të Dhomave të Specializuara.

Në deklaratë, KD-ja e PDK-së e cilëson aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si “thellësisht të padrejtë dhe tendencioz” dhe kërkon që drejtësia të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht.

-Advertisement-

Partia thotë gjithashtu se kundërshton çdo interpretim që, sipas saj, cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së ose vendos barazime mes luftës së popullit të Kosovës për liri dhe politikës së regjimit serb.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë, e cila u zhvillua në aleancë politike dhe strategjike me botën demokratike dhe përfundoi me përkrahjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

PDK thekson se do të vazhdojë të mbështesë, sipas saj, përpjekjet për drejtësi për Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, ndërsa paralajmëron angazhim për “mbrojtjen, dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës historike” për luftën e UÇK-së.

Tri kërkesat e PDK-së

Në pikën e parë, PDK i kërkon Kuvendit të shqyrtojë Projektligjin e dorëzuar nga kjo parti për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe legjislacionin dhe marrëveshjet që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi.

Sipas PDK-së, ky shqyrtim duhet të fokusohet në mundësitë kushtetuese dhe ligjore për forcimin e garancive procedurale, transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale.

“Pavarësia e drejtësisë duhet të respektohet plotësisht. Por, pavarësia nuk përjashton transparencën, standardet e gjykimit të drejtë dhe përgjegjshmërinë institucionale”, thuhet në deklaratë.

Në pikën e dytë, PDK kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi që të sigurojnë mbështetje të pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së gjatë procedurave të mëtejshme, përfshirë procesin në Apel.

Partia kërkon gjithashtu angazhim përmes diplomacisë shtetërore dhe komunikimit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që, sipas saj, të respektohen standardet më të larta dhe të sigurohet një proces i drejtë në procedurat e Apelit.

Pika e tretë lidhet me protestat. KD-ja e PDK-së deklaron se mbështet organizimet popullore kundër vendimeve të Dhomave të Specializuara dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në to.

“PDK kërkon unitet dhe organizim në këtë përpjekje të përbashkët për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare”, përfundon deklarata.

 

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy