Lajme

Pas G20-ës: Diskutim për konceptet e sigurisë

Autori: Gazeta inFokus 08:51 | 12 July 2017

Pakimi i nivelit të lartë të G20-ës në Hamburg u mbrojt nga 20.000 policë. Megjithatë pati dhunë të skajshme dhe trazira të rënda. Cilat janë mësimet që nxjerr politika nga kjo?

Kështu nuk e pati menduar qeveria federale  bilancin e takimit të nivelit të lartë: pamjet e automjeteve në flakë, dyqanet e plaçkitura dhe huliganët që godisnin me gurë u përhapën nëpër botë. Rreth 500 policë u plagosën dhe shumë qytetarë u dëmtuan. “A kemi të bëjmë me një dëmtim të imazhit për Gjermaninë?”, kërkon të dijë një gazetar i huaj nga zëdhënësi qeveritar, i cili me shprehje serioze të fytyrës flet për “skena dëshpëruese dhune” – që ndodhën në një takim madje të parë të nivelit të lartë të G-20-ës, që ka organizuar ndonjëherë Gjermania.

“Fshehtas përmes kufirit”

-Advertisement-

Shpejt në konferencë bëhet e qartë: qeveria gjermane i vlerëson trazirat e dhunshme në periferi të takimit të nivelit të lartë si një dimension dhune që nuk ka ndodhur kurrë më parë – dhe kërkon shpjegime. Para së gjithash nga Evropa Jugore dhe Veriore patën udhëtuar “turistë të dhunës” për në Hamburg, raportoi ministri i Brendshëm,Thomas de Maiziere (CDU) në një konferencë shtypi, për të cilën lajmëroi gati në minutën e fundit. Numri i të ardhurve është treshifror. Megjithëse në kufi u dëbuan qindra huliganë potencialë, të tjerë u shpëtuan autoriteteve. “Pajisjet” e tyre – biga të çelikta për llastiqe dhe veshje mbrojtëse – ata i patën futur fshehtas në grupe tepër të vogla përmes kufirit, thekson ministri i Brendshëm. Dhe e patën bërë këtë shumë kohë përpara se të forcoheshin kontrollet në kufi për shkak të takimit të nivelit të lartë.

Huliganët qenë përgatitur kështu prej kohësh për trazirat brutale, të cilat de Maiziere i quan “të papërfytyrueshme dhe revoltuese”. “Ata janë ekstremistë të dhunshëm që meritojnë përçmim, njësoj si janë neonazistët dhe terroristët islamikë”. “Kjo ka tipare terrorizmi”, komenton shefi i SPD dhe kandidati për Kancelar, Martin Schulz.

Regjistër evropian

Kritikën ndaj misionit të policisë – të paktën të policisë federale – qeveria e kundërshton me vendosmëri. Cilat janë mësimet që nxirren atëherë nga kjo katastrofë? Ministri i Brendshëm e konsideron me vend mbajtjen e një regjistri qendror evropian, në të cilin të regjistrojnë ekstremistët e majtë. Megjithatë, duhet rënë dakord për kriteret për kategorizimin e ekstremistëve të majtë. Në Gjermani një bankë e tillë të dhënash ekziston, dhe ajo furnizohet si nga federata, ashtu edhe nga landet. Para takimit të nivelit të lartë ajo u shfrytëzua nga autoritetet.

Edhe ministri i Drejtësisë, Heiko Maas (SPD) kërkon një shkëmbim më të mirë në BE për personat ekstremistë të dhunshëm. “Kemi përjetuar një cilësi të re të dhunës, ndaj të cilit duhet të reagojmë me më shumë bashkëpunim në luftimin e ekstremistëve”, kërkoi Maas. Qeveria gjermane thekson se e quan edhe tani të drejtë vendimin për ta mbajtur takimin e nivelit të lartë në Hamburg. “Një grup dorasish radikalë të dhunshëm nuk do të lejojmë që të vendosin, nëse dhe ku do ta takohen kryetarët e shteteve dhe të qeverive”, tha de Maiziere.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera