Lajme

Paqartësia mbi pronësinë e tokës rrezikon ndërtimin e konviktit (Video)

Autori: Gazeta inFokus 21:09 | 06 May 2017

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta po ankohet për neglizhencë nga Komuna e Prishtinës në sqarimin e pronësisë së një parcele të tokës ku po planifikohet ndërtimi i një konvikti të ri për studentë.

Ndërkaq në komunë premtojnë se një përgjigje me shkrim për sqarimin e pronësisë së kësaj toke do t’i shkojë së shpejti Qendrës së Studentëve.

Sfishta thotë se parcelat për të cilat ata kanë kërkuar sqarim nga Komuna e Prishtinës i takojnë Qendrës së Studentëve në bazë të një rregullimi urbanistik të vitit 1985.

-Advertisement-

“Ne kemi planifikuar që të fillojmë ndërtimin edhe të konviktit numër nëntë, por jo në këto hapësira, por e kemi një parcelë toke që është pranë Fakultetit Teknik e cila i plotëson kushtet që të ndërtohet edhe një konvikt tjetër atje. [Toka] rrjedhimisht duhet të jetë e Qendrës së Studentëve sepse logjikisht është e ngjitur me mensën e re të studentëve.. dhe ju ka nda Qendrës së Studentëve vitet e mëhershme”, tha Sfishta.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri thotë se Drejtoria Komunale e Pronës ka ardhur në përfundim se parcela në fjalë i takon Komunës së Prishtinës dhe si e tillë duhet të kërkohet për shfrytëzim nga Qendra e Studentëve.

“Qendra e Studentëve ka bërë një kërkesë në Drejtorinë e Pronës sipas së cilës thuhet se në vitin 1985 dy parcela i janë dhënë për shfrytëzim të përhershëm Qendrës së Studentëve në bazë të një kontrate të po atij viti dhe me analizën që i kanë bërë të gjithë dokumentacionit, ekspertët e drejtorisë kanë konstatuar se sipas dokumenteve ekzistuese nuk është e vërtetë se këto parcela janë dhënë në shfrytëzim të përhershëm”, tha Tahiri.

Tahiri arsyetoi vonesën e kthimit të përgjigjes për Qendrën e Studentëve me numrin e madh të lëndëve me të cilat po merret Drejtoria e Pronës në Komunën e Prishtinës.

Drejtori Sfishta tha se Qendra e Studentëve ka kërkuar sqarim për këto prona nga komuna që prej 20 janarit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të katërt "Banka e Vitit 2024 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera