Sport

Panuci flet për dy ndeshjet si trajner i Shqipërisë

Autori: Gazeta inFokus 13:48 | 07 September 2017

Kristian Panuçi ka folur gjatë sot në konferencën për shtyp para medieve, teksa ka analizuar dy sfidat me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë.

Trajneri italian ka shpjeguar të gjitha zgjedhjet e tij, formacionin, lëvizjet e bëra dhe pse nuk luajti Liridon Latifi, për të cilin Panuçi mendon se e meritonte. Loja ka qenë në fokus, ashtu sikurse ndeshjet me Spanjën dhe Italinë.

ANALIZA

-Advertisement-

“Tani i njoh shumë më mirë lojtarët e mi. Duke konsideruar që është fillimi i sezonit dhe është një moment delikat dhe ka shumë lojtarë që nuk po luajnë rregullisht në klubet përkatës, u druhesha shumë këtyre dy ndeshjeve. Për sa u përket dy ndeshjeve, jam i kënaqur. Lihtenshtejni nuk e goditi asnjëherë portën. Në 30 minutat e para luajtëm në mënyrë shumë të ngadaltë, por duke pasur një ide se çfarë duhej të bënim në fushë. Megjithatë, nuk bëmë me topin atë që duhej të bënim në fushë. Në pjesën e dytë skuadra shtoi ritmin e lojës dhe përtej golave, avantazhi erdhi falë përmirësimit në lojë. Kishim lojtarë si Memushaj, Ajeti apo Roshi që nuk kishin minuta në këmbët e tyre dhe nuk ishin perfektë fizikisht. Ajeti e Llullaku kishin dëmtime të lehta, por gjërat që i kërkova, edhe pse vetëm me një stërvitje, arritëm t’i bënim. Më pas shkuam në Maqedoni. Së pari, nuk dua të gjej justifikime, nëse humbet apo barazon. Jam këtu për të bërë një analizë për këto dy ndeshje, edhe për të respektuar punën e gazetarëve, sepse bëhet fjalë për kombëtaren. Po të punoja në klub, nuk do dilja të shpjegoja asgjë”.

ZGJEDHJET NDAJ MAQEDONISË

“Në Maqedoni luajta me dy lojtarë si Kukeli e Lila para mbrojtjes, pasi kisha besim te forca e tyre, duke sakrifikuar pak në aspektin e lëvizshmërisë dhe lojës me topin. Megjithatë, më përpara ishin 4 lojtarë ofensivë, të cilët duhej të sakrifikonin dhe të ndihmonin mesfushën, sepse i druhesha kundërsulmit maqedonas. Nuk luajtëm mirë në pjesën e parë, por nuk vuajtëm dhe patëm edhe raste në kundërsulm, si në rastin e Hysajt me 3 lojtarë kundër dy. Në pjesën e dytë bëmë zëvendësime, skuadra luajti më mirë dhe shënuam, por skuadra ra fizikisht në fund dhe në 25 minutat e fundit Maqedonia luajti shumë mirë, këtë e kam thënë që pas ndeshjes. Mund ta fitonim ndeshjen dhe ta mbyllnim 2-0, por mund të meritonim edhe humbjen në fund. Kjo është analiza ime për këto dy ndeshje, ndoshta pas disa muajsh, me një gjendje fizike më të mirë, do të mund të bënim diçka më shumë”.

LOJA E MUNGUAR

“Unë jam i sëmurë pas punës sime. Kam shumë respekt për veten time, për presidentin, lojtarët dhe Federatën, ndaj mendon për 24 orë për punën time. I shohim të gjithë ndeshjet kualifikuese dhe mendoj se vetëm 2 skuadra luajnë mirë dhe janë më të organizuara se të tjerat, Gjermania dhe Spanja. Të tjerat janë skuadra që mundohen të hedhin sa më shumë kualitete në fushë, por koha u mungon trajnerëve. Unë dua të luaj futboll në fushë, jo vetëm top i gjatë e kundërsulm. Unë preferoj të luaj me 3 lojtarë në mesfushë. Tani e tutje do të kërkoj lojtarë, do të udhëtoj për të ndjekur nga afër shumë lojtarë, por koha nuk është e mjaftueshme, ndaj do të hedh në fushë më të mirët që kam në dispozicion për momentin. Unë i jam mirënjohës Federatës për mundësinë që më ka dhënë, dua të bëjë maksimumin e mundshëm dhe të mbahem mend për mirë kur të largohem. Nuk dua vetëm rezultate, dua edhe lojë. Isha më i nervozuar pas fitores kundër Lihtenshtejnit, sesa pas barazimit në Maqedoni”.

PIKA E FORTË E EKIPIT

“Është një grup serioz, punohet shumë, janë të gjithë lojtarë profesionistë. E dimë mirë që luajmë për imazhin e Shqipërisë, fitoret dhe humbjet janë shumë të rëndësishme për gjithë popullin. Për këtë arsye, unë tentoj që të japin gjithmonë diçka më shumë në kombëtare. Dua që lojtarët e mi të jenë dhe të ndihen mirë në kombëtare, por kërkoj respekt ndaj rregullave, sepse nëse nuk respektohen oraret dhe vendimet e Federatës, atëherë gjithçka shndërrohet në një cirk, ashtu si ka ndodhur me ndonjë lojtar. Nuk dua që asnjë lojtar të ndihet më i mirë apo më i keq se një tjetër dhe të ketë dallime. Kombëtarja nuk është një vend pune ku mund të kërkosh një ditë leje, sepse nëpër botë të gjithë lojtarët kanë arritur kontrata të rëndësishme edhe falë Shqipërisë, mbi të gjitha falë Shqipërisë”.

NDESHJET ME SPANJËN DHE ITALINË

“E dimë që është një ndeshje shumë e vështirë, po të pretendosh të kundërtën do të thotë që nuk je mirë nga mendtë. Megjithatë, kemi parë Francë-Luksemburg. A do vinit bast 10 euro për Luksemburgun? Kurrë në jetë. Megjithatë, pamë që gjithçka mund të ndodhë. Ne do të shkojmë në Spanjë për të qenë sa më të mirë dhe për ta bërë kundërshtarin të duket më pak i mirë sesa është. Duhet të vdesim në fushë dhe kur të dalim nga fusha të jemi të qetë, sepse nëse kundërshtari do të fitojë, do t’i japim dorën dhe do të kthehemi në Tiranë. Edhe për Italinë e njëjta gjë. Kemi respekt të madh, mbetet një kombëtare e madhe, ndërsa ne jemi Shqipëria. Do të bëjmë të pamundurën për të marrë rezultat pozitiv, duke parë momentin jo të mirë të Italisë. Edhe në këtë rast, do të duhet të jemi shumë seriozë, të luajmë futboll, të prodhojmë lojë e të japim gjithçka, pastaj nëse humbasim, i japim dorën kundërshtarit. Megjithatë, para humbjes, dua që ta provojmë deri në fund, të dalim të vetëdijshëm që bëmë gjithçka”.

LËVIZJET NDAJ MAQEDONISË

“Mund të themi shumë gjëra. Mund të them që gabova, që është njerëzore, mund të them që nuk e njoh mirë skuadrën, mund të them mund të luanim me 3 mesfushë, ka shumë gjëra që mund të them. Nuk ka problem nëse konsiderohet gabim, nuk ofendohem. Unë mbaj përgjegjësi për skuadrën, natyrisht unë kam faj kur bëjmë gabime. Isha i vetëdijshëm që makineria nuk po funksiononte në Maqedoni, ndaj bëra ndryshime. Maqedonia është një skuadër shumë e mirë, shumë agresive, ndaj lojtarët tanë përpara nuk po merrnin topa. Hyka ishte shumë i ngadaltë, nuk po merrte pasime nga pas”.

FORMACIONI

“Jo, askush nuk e ka të garantuar formacionin. Ka pasur lëvizje gjithnjë në skuadër, pastaj duhet të shohim edhe seriozitetin, disiplinën dhe eksperiencën që kanë lojtarët. Agolli, Mavraj, Hysaj e të tjerët, janë lojtarë me eksperiencë të madhe. Edhe Berisha ishte vendimtar, edhe Sadiku dha asist, Roshi shënoi. Të gjithë po japin maksimumin e vet, edhe ata që nuk luajnë titullarë, si në rastin e Memollës”.

MOSAKTIVIZIMI I LATIFIT

“Llullaku luajti mirë kundër Lihtenshtejnit. E mendova të luaja me Latifin, por pastaj bëra një zgjedhje tjetër, duke menduar ta futja Latifin gjatë ndeshjes, sepse ka punuar shumë dhe ka qenë serioz, si të gjithë. Megjithatë, kur bëra dy ndërrime në pushim, kisha 5-6 lojtarë që mendoja se do t’u binte rendimenti në pjesën e dytë. Edhe Abrashi u paraqit shumë mirë, por në këto dy ndeshje mendova të provoja sa më shumë lojtarë. Kur desha të bëj një manovër përpara, na u dëmtua Agolli. Latifi është një lojtar që shfrytëzon hapësirat dhe do të na shërbente shumë, por imagjinoni sikur të fusja Latifin dhe më pas të dëmtohej Agolli. U detyrova të prisja, por është e qartë që Latifi do të meritonte të luante, analiza juaj është e saktë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera