Sport

Panucci flet para ndeshjes miqësore me Norvegjinë

Autori: Gazeta inFokus 12:51 | 19 March 2018

Në vigjilje të ndeshjes miqësore me Norvegjinë në 26 mars në “Elbasan Arena”, trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Christian Panucci iu përgjigj interesit të gazetarëve për listën e lojtarëve të grumbulluar, si edhe shumë çështjeve të tjera rreth ekipit kombëtar, shkruan infokusi.

Ndër të tjerash trajneri shtoi se tashmë është krijuar baza e skuadrës, por deri në qershor do të shohë për elementë të tjerë për të formuar të plotë skuadrën që do të zhvillojë fazën eleminatore të Europianit.

“Mund të them që kemi krijuar bazën me 20 futbollistë, por kemi edhe disa pika që do i ndjekim në vijimësi. Zëvendësuesi i Agollit për shembull, pasi mosha e tij më obligon të gjej menjëherë alternativën në atë vend. Më shqetëson pak fakti që lojtarët nuk luajnë shumë në klubet e tyre. Dhe kjo ishte arësyeja që vendosa të zhvilloj një miqësore dhe të punojmë një javë me futbollistët e grumbulluar. Sidoqoftë, nuk tërhiqem dhe them që me këtë grup lojtarësh mund të bëjmë shumë mirë, pasi ky kontigjent është shumë i mire”,- theksoi edhe tekniku i skuadrës përfaqësuese, që gjithsesi vijon të ndjekë edhe ecurinë e disa lojtarëve në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore: “E ndjek kampionatin shqiptar, pasi jam trajner i Kombëtares shqiptare. Abazaj dhe Gavazaj më pëlqejnë, sepse janë lojtarët e duhur për mënyrën tonë të të luajturit. Ata janë lojtarë shumë të mirë një kundër një. Po luajnë shumë mirë, prandaj e meritonin një çmim për këtë paraqitje. Tashmë duhet parë si do të luajnë me Kombëtaren. Ajo që vlen të evidentoj është fakti që çdo kush bën paraqitjen e mirë dhe më demonstron në fushë një rritje të tij unë e grumbulloj menjëherë. Nuk kam asnjë kompleks në këtë drejtim”,- theksoi tekniku kuqezi.

-Advertisement-

Panucci ndërkaq sqaroi gazetarët edhe për rastin e mosgrumbullimit të mbrojtësit Ansi Agolli, ku theksoi që ka komunikuar me lojtarin, por mosha e tij e kushtëzon të shohë për një zgjedhje tjetër. Skuadra përfaqësuese e futbollit nis sonte në mbrëmje grumbullimin në “Tropikal” në një kohë që stërvitjet i fillon të martën në orën 15.30, me seancën stërvitore, e planifikuar me akses të plotë mediatik. /infokusi.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera