Lajme

Pakistani pritet të votojë kryeministrin e ri

Autori: Gazeta inFokus 09:22 | 11 April 2022

Parlamenti i Pakistanit pritet të zgjedhë kryeministrin e ri të hënën, pasi Imran Khan u rrëzua të dielën me votë mosbesimi.

Shahbaz Sharif – udhëheqës i një koalicioni opozitar që punoi për të rrëzuar Khanin nga pushteti – pritet të fitojë shumicën e votave.

Votimi i mosbesimit kundër Khanit u mbajt pas ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë.

-Advertisement-

Ai u përpoq të bllokonte një përpjekje të mëparshme për votimin e mocionit të mosbesimit kundër tij, duke shpërndarë Parlamentin dhe duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Megjithatë, Gjykata e Lartë e vendit e mbështeti një peticion të opozitës, sipas të cilit veprimet e Khanit ishin jokushtetuese, dhe urdhëroi që votimi të vazhdonte.

Kundërshtarët e Khanit ndërmorën hapa kundër tij pas pakënaqësive në rritje me menaxhimin e tij të ekonomisë dhe prishjes së marrëdhënieve me ushtrinë e Pakistanit.

Sharif, 70 vjeç, vjen prej një dinastie të fuqishme politike të Pakistanit.

Vëllai i tij më i madh, Nawaz Sharif, ka qenë kryeministër me tre mandate – herën e fundit nga viti 2013 deri më 2017.

Ai udhëheq njërën nga partitë kryesore opozitare të Pakistanit, Lidhjen Myslimane Pakistaneze Nawaz (PMLN)./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera