Lajme

Pa EULEX-in, Speciales i pamundësohen veprimet në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 07:58 | 01 July 2020

Pa EULEX-in, Gjykata Speciale do ta ketë të vështirë ta kryejë mandatin në Kosovë, ka thënë të martën një burim i gazetës “Koha Ditore” balliqë ka qenë pjesë e grupeve punuese edhe për Ligjin për Specialen e edhe për Ligjin për këtë mision evropian. Kjo, për shkak se misioni evropian i ofron kësaj gjykate mbështetje logjistike dhe operacionale.

Specialja, mekanizëm i drejtësisë që funksionon në Hagë, ka bërë të ditur pesë ditë më parë se presidenti Hashim Thaçi dyshohet për krime lufte, në kohën kur kreu i shtetit ka refuzuar të realizojë letërkëmbimin e çdodyvjetshëm me Brukselin zyrtar në lidhje me vazhdimin e mandatit të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Burimi që ka folur për gazetën ka argumentuar se si mosvazhdimi i mandatit të EULEX-it, apo çfarëdo ndërprerje bashkëpunimi nga ana e institucioneve me këtë mision, do t’ia vështirësonte në masë punën Speciales.

-Advertisement-

“Pra, ka një përpjekje për ta hequr një hallkë shumë të rëndësishme që punon për llogari të Gjykatës Speciale, siç është EULEX-i. Ndonëse ka dilema juridike se vazhdimi i mandatit të këtij misioni është i varur nga letërkëmbimi apo jo, prapëseprapë në rrethanën kur institucionet e Kosovës nuk do të ofrojnë bashkëpunim, do të vështirësohet edhe çështja e zbatimit të urdhëresave, apo qasja në informata, qoftë në polici apo edhe në gjykata vendore”, ka thënë ky burim.

Pesë ditë më parë Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka gjykuar “të domosdoshëm” nxjerrjen e një deklarate për media, në të cilën është bërë e ditur se në një aktakuzë të paraqitur Hashim Thaçi e Kadri Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas deklaratës, informata është dhënë pasi “besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e Ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

Deri më tash, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, emërtim ky zyrtar për Gjykatën me seli në Hagë, kanë argumentuar se mandati i tyre do të vazhdojë “derisa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian që hetimet kanë përfunduar dhe se çdo procedurë nga Dhomat e Specializuara ka përfunduar” e edhe se “që mandati të vazhdojë, nuk kërkohen veprime, formalitete ose njoftime specifike”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera