Lajme

Osmani s’ishte në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pas sulmit në Veri, këtë mekanizëm kreu i shtetit e drejton veç në gjendje të jashtëzakonshme

Autori: Gazeta inFokus 15:44 | 02 December 2024

Në ora 1:30 të së shtunës Këshilli i Sigurisë mbajti mbledhje të jashtëzakonshme pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut.

Në orët e para të së shtunës është mbledhur Këshilli i Sigurisë në një mbledhje të jashtëzakonshme pas sulmit në kanalin e ujit në Zubin Potok. Aty nuk ka marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, por shefja e stafit.

Këtë për Express e ka konfirmuar këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

-Advertisement-

“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentja udhëheq takimet e Këshillit të Sigurisë, vetëm kur miratohet gjendje e jashtëzakonshme. Në situata të tjera, presidenten e përfaqëson shefja e stafit, e cila ka qenë e ftuar për këtë takim nga ana e Këshillit dhe ka marrë pjesë.”

Kupina shtoi se presidentja Osmani është në komunikim me institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë për cështjen e sigurisë në vend.

“Presidentja është vazhdimisht në komunikim me institucionet tona si dhe me partnerët ndërkombëtar sa i përket situatës së sigurisë në vend”, tha Kupina për Express.

Kujtojmë se më 19 nëntor, presidentja Osmani e ka kthyer mbrapsht për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, që u miratua më 31 tetor të këtij viti. Sipas saj, në këtë Ligj është krijuar vakum juridik, pas heqjes së dispozitave të ligjit paraprak të vitit 2008, mbi organizimin dhe veprimet e Këshillit në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Në Ligjin paraprak përcaktohej se presidentja i kryeson takimet gjatë kësaj gjendje, teksa në Ligjin që u miratua në fund të muajit të kaluar, komplet çështja e kontrollit të gjendjes së jashtëzakonshme kalon në një Ligj tjetër.

ZKM të shtunën njoftoi se “anëtarët e Këshillit kanë diskutuar masat emergjente që janë marrë për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend”.

“Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.”

Në komunikatë thuhej se institucionet mbeten të angazhuara për të garantuar siguri dhe mirëqenie për qytetarë.

“Institucionet e Kosovës mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre veprimeve të paligjshme të përballen me drejtësinë. Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve të luftës hibride kundër shtetit dhe popullit tonë.”

Kurti sot gjatë ditës në zyrë ka pritur ambasadorët e akredituar në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për sulmin e 29 nëntorit.

Si të dyshuar për përfshirje në këtë sulm, Policia ka arrestuar tetë persona.

Kurti e ka akuzuar Serbinë që qëndron pas këtij sulmi, akuzë që është mohuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera