Lajme

Osmani: Serbia vazhdon të mbaj peng fatin e 1622 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës

Autori: Gazeta inFokus 16:12 | 21 December 2021

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vizituar sot ekspozitën me titull “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe të realizuar nga artisti Driton Selmani me kuratoren Blerta Hoçia.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se dhembja për 1622 personat e zhdukur me dhunë është e vazhdueshme dhe bëhet edhe më e rëndë, duke e ditur faktin se edhe më tej mbahen peng në Serbi, pikërisht në vendin që është fajtor për zhdukjen e tyre të dhunshme.

“Gurët e kësaj ekspozite janë secili nga të zhdukurit, janë përditshmëria e dhimbshme e secilës familje që pret epilogun e ankthit mbi 22 vjeçar”, ka shkruar Osmani.

-Advertisement-

Postimi i plotë:

Sot vizitova ekspozitën me titull “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe të realizuar nga artisti Driton Selmani me kuratoren Blerta Hoçia. Në orët e ekspozitës që masin kohën, sheh ditët, orët, minutat e sekondat që nuk kanë të mbaruar në pritje të një përgjigjeje, në pritje të zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit. Aty shihet dhimbja e pafund dhe e vazhdueshme e familjarëve por edhe e një shteti të tërë, sepse liria jonë asnjëherë nuk do të jetë e plotë pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Dhembja për 1622 personat e zhdukur me dhunë është e vazhdueshme dhe bëhet edhe më e rëndë, duke e ditur faktin se edhe më tej mbahen peng në Serbi, pikërisht në vendin që është fajtor për zhdukjen e tyre të dhunshme. Nëpërmjet ekspozitës, fati i të zhdukurve tanë tregohet në mënyrë autentike para publikut, duke trokitur në ndërgjegjen e secilit, ngase ata janë mungesë jo vetëm për familjet, por edhe për shtetin tonë. Gurët e kësaj ekspozite janë secili nga të zhdukurit, janë përditshmëria e dhimbshme e secilës familje që pret epilogun e ankthit mbi 22 vjeçar.

Shpresoj që kjo ekspozitë të vizitohet nga të gjithë qytetarët tanë dhe poashtu ta bëjë rrugëtimin e saj nëpër vende të ndryshme, për t`i dëshmuar botës tragjedinë tonë, dhimbjen tonë, të vërtetën tonë! Ruajtja e kujtesës historike është ndër dëshmitë më të fuqishme për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera