Lajme

Osmani s’e zhgënjen Kurtin, për të e goditi edhe kupolën e Bashkimit Europian

Autori: Gazeta inFokus 17:44 | 22 November 2022

Vjosa Osmani nuk hezitoi të rreshtohej edhe një herë krah Albin Kurtit. Kundërshtari i radhës i presidentes dhe kryeministrit të hënën u bë Josep Borrell, politikani spanjoll që është në krye të diplomacisë së Bashkimit Europian. Pasi Kurti dhe Borrell i shprehën haptazi mospajtimet pas takimit të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Osmani ‘ndërhyu’ për ta goditur fort ndërmjetësuesin europian.

Vjosa Osmani si shefe e shtetit mendon gjithnjë sikur kryeministri Albin Kurti. Asnjëherë nuk ka ndodhur ndryshe dhe nuk ndodhi as të hënën. Por të hënën, presidentja u rreshtua disi më fuqishëm papa kryeministrit në një ‘betejë’ me kryediplomatin europian, Josep Borrell.

Presidentja tha se shefi i diplomacisë europiane anoi “haptazi” kah Serbia gjatë ndërmjetësimit në takimin e Brukselit.

-Advertisement-

“Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, shkroi Osmani, duke renditur 15 marrëveshje e duke shkruar se “lista është më e gjatë se kaq”.

Sipas saj, paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen kështu.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell e shpalli fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi tha se ai nuk e pranoi një propozim të tij për ta zgjidhur problemin e targave të automjeteve në tavolinë përballë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq të hënën në Bruksel.

Pas shumë orë diskutimesh, Borrell njoftoi se s’u arrit ndonjë marrëveshje, ndërsa theksoi se kjo lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie”.

“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha ai.

Propozimi i BE-ë ishte që Kosova të mos shqiptojë gjoba për shoferët që mbajnë targa të Serbisë në automjetet e tyre dhe Serbia të mos lëshojë më targa të reja. Por Kurti e quajti të papranueshme këtë, pasi tha se ndërmjetësuesit “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për arritjen e një marrëveshjeje më gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se propozimi i BE-së është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.

Për sjelljen në takim, Borrell tha se do t’i informonte shtetet anëtare të Unionit.

“Ne do t’i informojmë shtetet anëtare, do të t’i informojmë kolegët e mi, ministrat për Punë të Jashtme dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve të dhe për mungesën e respektit ndaj obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe më duhet ta them këtë, vecanërisht për Kosovën”, ka thënë Borrell.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera