Lajme

Osmani merr përsipër financimin e transportit të shtatores së Skënderbeut në Itali

Autori: Gazeta inFokus 17:15 | 06 August 2024

Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, tashmë ndodhet në Itali. Kjo shtatore, me iniciativën e shoqatës „Hora e Skënderbeut“ është dhuratë e mërgimtarëve shqiptarë për arbëreshët. Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj. Po ashtu arbëreshët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, kur ata hapën dyert e zemrat për kosovarët, të cilët ishin të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe, gjatë zbatimit të planit të gjenocidit.

Kjo shtatore madhështore, e cila është vepër e skulptorit nga Prishtina Gëzim Muriqi, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon edhe me datën e themelimit të qytetit i cili daton nga viti 1488.

Shoqata “Hora e Skënderbeut” falënderon Presidenten e Kosovës, zonjën Vjosa Osmani e cila ka marrë përsipër financimin e transportit, si dhe stafin e saj të cilët kanë kanë ndihmuar në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, në mënyrë që shtatorja e Skënderbeut të niset drejt shtetit Italian.

-Advertisement-

Pas gati dy vite angazhim, shtatorja e Skënderbeut ndodhet në Itali dhe në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Horës së Arbëreshevet z. Rosario Petta ne do të caktojmë datën kur ajo do të mbërrijë atje për tu vendosur përfundimisht në sheshin përballë bashkisë, e për tu përuruar më 30 gusht të këtij viti.

Sipas informacioneve tona, shumë bashkatdhetarë kanë shprehur dëshirën që të bëhen pjesë e kësaj feste madhështore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera