Lajme

Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe tek varret e vëllezërve Gërvalla

Autori: Gazeta inFokus 13:58 | 17 January 2021

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me Vjosa Osmanin, kanë përkujtuar në 39 vjetorin e vrasjes, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zeka.

Në një njoftim të VV-së, thuhet se vrasja e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës ndodhi për ta ndaluar bashkimin politik të shqiptarëve.

“Sot pas 39 vitesh së vrasjes së veprimtarëve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shqiptarët ecin ende në kërkesat dhe përpjekjet e tyre. Në përvjetorin e rënies së tyre, kandidati për kryeministër, kryetari Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes Vjosa Osmani bënë homazhe në vendlindjen e vëllezërve Gërvalla në Dubovik tek memoriali dhe vizituan shtëpinë muze”.

-Advertisement-

“Ata u pritën nga bija e veprimtarit, aktivistit, intelektualit e artistit Jusuf Gërvalla, njëherësh edhe kandidate për deputete në listën e LV, Donika Gërvalla. Pjesë e këtij delegacioni ishin edhe kandidatët për deputetë: Hydajet Hyseni, Gani Krasniqi, Tinka Kurti, Liburn Aliu, Orges Tafilaj e Mirlinda Tishukaj. Vrasja e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës ndodhi për ta ndaluar bashkimin politik të shqiptarëve. Sot, të bashkuar para përpjekjeve e sfidave të sotshme e të reja përkulemi ndaj veprave e sakrificave të tre dëshmorëve por edhe të Nënës Ajshe”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas VV-së, jo vetëm ajo është ndikuar prej djemve të saj, por edhe ata ishin të ndikuar e frymëzuar prej nënës Ajshe.

“Prandaj edhe ishin të tillë”, shpjegonte Donika Gërvalla. Cikli politik i tre dëshmorëve përmbyllet me nënën Ajshe. Edhe oda e shtëpisë ka mbetur ashtu siç e mbante nëna Ajshe ku ka pritur vizitorë prej anekënd Kosovës. Rrethuar me fotografi, me tavolinën e punës së veprimtarit Jusuf Gërvalla e me shumë kujtime të freskëta edhe pas afër 4 dekadave. Frymëzimi nga ta do të jetojë edhe më gjatë. Përgjithmonë”.

“17 janari është plagë e rëndë e shqiptarëve. Bustet e të rënëve ftohen prej borës siç ishin ftohur zemrat e shqiptarëve kur kanë marrë vesh për vrasjet e tyre. Delegacioni i njëjtë bëri homazhe edhe para bustit të Kadri Zekës. I përjetshëm do të jetë kujtimi për këtë treshe që as vdekja s’mund ta ndajë”, theksohet në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €

Të tjera