Lajme

Osmani: Beteja e Koshares tregoi se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave

Autori: Gazeta inFokus 14:31 | 09 April 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 23 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se 9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, tha se Beteja e Koshares tregoi se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave.

“ Shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak“, ka shkruar Osmani.

-Advertisement-

Gjithashtu, e para e vendit tha se këtë betejë e përkujtojmë si ndër momentet më krenare të historisë sonë të re.

“ Ajo dëshmoi se liria nuk ka çmim dhe se vendosmëria për ta arritur atë dhe shpirti i një populli janë të pathyeshme. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore për vajzat e djemtë e UÇK-së, por edhe për gjithë popullin e Kosovës.

Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe mijëra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë“, ka shkruar presidentja Osmani./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera