Lajme

Osmani akuzon Vuçiqin për hipokrizi: Emri i dytë i Serbisë është “moszbatimi i marrëveshjeve”

Autori: Gazeta inFokus 18:38 | 22 April 2024

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se shteti i Serbisë nuk është duke zbatuar marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të procesit të dialogut me Kosovën.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ajo ka theksuar se Serbia vazhdon me thirrjet e saja për formim të Asociacionit, por vet nuk i zbaton marrëveshjet e arritura.

“Një narrativë e përsëritur e propaganduar nga Serbia është diskutimi rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni fillimisht u nënshkrua si pjesë e Marrëveshjes së vitit 2013, por ajo kurrë nuk ishte menduar të bëhej një çështje e izoluar. Serbia duhej të plotësonte disa kushte përpara se Asociacioni të vinte në jetë – veçanërisht detyrimi për të shpërbërë strukturat ilegale, por deri më tani Serbia nuk ka përmbushur asnjërën prej tyre”.

-Advertisement-

” Përderisa ne e dimë mirë se moszbatimi i marrëveshjeve është emri i dytë i Serbisë, është hipokrizi për Serbinë të predikojë domosdoshmërinë që pala jonë të përmbushë ndërkohë që ata vazhdimisht shkelin anën e tyre të marrëveshjes. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2023 ka 11 nene, jo vetëm një. Por Vuçiqi fillimisht duhet të përgjigjet nëse e pranon marrëveshjen e vitit 2023, sepse në një letër që qeveria e tij i ka dërguar BE-së ata deklarojnë se nuk e pranojnë”, ka pohuar ajo.

Ndër tjera, Osmani përmendi edhe presionin e Serbisë ndaj serbëve të Kosovës që të mos  dalin për të votuar në votimet e djeshme që ishin për largimin e kryetarëv në veri të vendit, si dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar në këto komuna.

“Dhe, pasi serbët e Kosovës u detyruan nga Serbia të bojkotojnë zgjedhjet lokale vitin e kaluar, ne u kemi ofruar qytetarëve në komunat tona veriore mundësinë për të tërhequr kryetarët e tyre aktualë dhe për të zgjedhur të rinj. Fatkeqësisht, kjo mundësi nuk u shfrytëzua, kryesisht për shkak të presioneve shtrënguese nga Beogradi, të orkestruara nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Pavarësisht këtyre sfidave, Kosova i ruajti vlerat e saj demokratike, duke demonstruar pjekuri politike dhe respektim të rreptë ndaj standardeve më të larta ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera