Lajme

OSBE deklarohet për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 16:11 | 10 December 2023

Zgjedhjet në Serbi po afrohen, ndërsa serbët e Kosovës që kanë edhe shtetësi serbe, nuk do të mund të votojnë brenda territorit të Kosovës pa një marrëveshje paraprake ndërmjet dy vendeve. Ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se kërkesa duhet të vijë direkt nga Serbia si palë e interesuar. Ndërsa, analistët thonë se është mirë të gjenden modalitete në përputhje me ligjet në Kosovë.

Edhe pse Qeveria e Serbisë ka kërkuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që të përfshihet në mbledhjen e votave të banorëve të Kosovës me dy shtetësi, për zgjedhjet në Serbi, kjo nuk do të mund të realizohet nëse nuk ka një marrëveshje të veçantë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar”, ka deklaruar ditë më parë kryeministri Albin Kurti, duke shtuar se “çdo kërkesë duhet të bazohet në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës”.

Në pyetjen e Radio Kosovës drejtuar misionit të OSBE-së në Kosovë, nëse janë të gatshëm për procesin e mbledhjes së votave të serbëve të Kosovës, dhe nëse ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u lejohet serbëve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, duke votuar brenda vendbanimeve të tyre në Kosovë, në përgjigje thuhet se ky mision ka nevojë për konsensus të të gjitha palëve për këtë çështje.

-Advertisement-

“Misioni gjithashtu ka nevojë për mbështetje nga institucionet e Kosovës dhe kryesorja është nevoja për siguri nga Policia e Kosovës, si ofrues i parë i sigurisë. Për momentin, këto kushte nuk ekzistojnë”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së në Prishtinë.

E nëse Qeveria e Kosovës ka pasur një kërkesë nga misioni i OSBE-së në Kosovë për të lejuar qytetarët serbë të votojnë brenda territorit të Kosovës, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, përmes një përgjigje në formën elektronike për Radio Kosovën, ka thënë se në takimet e mëparshme të kryeministrit Kurti me ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, dhe ambasadorët e QUINT-it, është diskutuar edhe kërkesa e Serbisë drejtuar OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Në këto takime, kryeministri Kurti ka thënë se është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.

Ndërsa, analisti politik, Artan Muhaxhiri, tha se do të ishte mirë që kryeministri Kurti të gjejë një modalitet për t’i ofruar votimin pakicës serbe, por duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.

“Kjo duhet të bëhet duke respektuar ligjet e kushtetutshmërinë dhe vullnetin politik të Qeverisë së Kosovës. Në fakt në të kaluarën ky proces nuk ka qenë problematik. Por, tani edhe për shkak të momentumit delikat të procesit të dialogut dhe për një lloj ndryshimi negativ të qasjes së Serbisë kundrejt Kosovës dhe dialogut në përgjithësi, atëherë edhe rrethanat kanë ndryshuar”, tha Muhaxhiri.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ndodh në një periudhë kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar po bën përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera