Lajme

Operatori në veri të Kosovës largon kanalet ruse

Autori: Gazeta inFokus 12:16 | 28 February 2022

Kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media në Kosovë (KPM), Faruk Rexhaj, ka bërë të ditur se shumica e operatorëve shpërndarës, apo operatorëve kabllovikë, i kanë larguar nga transmetimi kanalet e Federatës Ruse.

“Jemi njoftuar se shumica e operatorëve i kanë larguar këto kanale. Ne sot i kemi monitoruesit në terren. Do të verifikohen operatorët e shpërndarjes që veprojnë në Kosovë se a e kanë respektuar vendimin e KPM-së apo jo”, tha Rexhaj për Radio Evropa e Lirë.

REL, ka konfirmuar edhe përmes disa personave privatë, të cilët jetojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, se kanalet ruse janë larguar nga MTS-i.

-Advertisement-

Komisioni i Pavarur i Mediave të Kosovës, ka vendosur më 26 shkurt për largimin e përkohshëm nga transmetimi të të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse.

Logoja e kanalit rus RT.

Kjo me qëllim që të parandalohet propaganda dhe të mbrohet siguria publike në Kosovë.

Bëhet e ditur se në mesin e këtyre kanaleve janë: RT, Russia 24 dhe Planeta RTR.

Rexhaj, ka shtuar se këto kanale janë transmetuar nga operatori i shpërndarjes MTS, i cili funksionon në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

MTS është nën pronësi të Telekomit Serb dhe është themeluar në vitin 2015, në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas Rexhajt, ka qenë edhe një operator shqiptar që ka transmetuar kanale ruse, “mirëpo të njëjtat i ka larguar qysh para vendimit të KPM-së”.

Nëse vendimi i KPM-së nuk respektohet, Rexhaj tha se do të ketë dënime për operatorët, deri te pezullimi i licencës. /Albanianpost.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera