Lajme

Operacioni “Union”, 5 të prangosur për fajde

Autori: Gazeta inFokus 20:07 | 20 December 2018

Policia e Kosovës ka arrestuar sot 7 persona të dyshimtë, pesë prej tyre janë të dyshuar për përfshirje në fajde, detyrim, kanosje dhe krim të organizuar, ndërsa dy të tjerë për grabitje të armatosur.

Zyrtarë policorë në një konferencë për media sot kanë bërë të ditur se operacioni policor i koduar me emrin “UNION”, ka rezultuar me pesë të arrestuar: D.B., Rr.B, I.S., L.B., dhe B.G, me ç’rast edhe u janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse.

Nënkolonel Rexhep Fetahu, ka thënë se Policia e Kosovës ka konfiskuar 16 mijë euro, 5 vetura, një motor udhëtarësh, 10 telefona mobilë, 1 laptop, 2 DVR, 12 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 4 shtëpiza kompjuteri, 4 aparate të lojërave të fatit dhe dokumente tjera që do të përdoren për vazhdim të procedurës penale.

-Advertisement-

“Sot, më datë 20, është ndërmarrë operacioni i koduar në të cilin janë arrestuar 5 të dyshimtë, janë kontrolluar shtëpitë dhe lokalet përkatëse te të dyshuarve të rastit në fjalë, operacioni është zhvilluar në 11 lokacione, me këtë rast janë arrestuar 5 të dyshuar, 2 prej tyre i kemi në kërkim dhe të gjitha janë shtatë. Janë konfiskuar si provë materiale, dhe prova të tjera, na japin të kuptojmë që rrjedhin prej veprave penale të cekura, sidomos kemi sekuestrimin e 16 mijë eurove, kemi pesë vetura të sekuestruara përkohësisht, kemi llap top dhe të tjera me të cilat janë kryer veprat penale në fjalë”, tha ai.

Ndërsa, togeri Ekrem Koliqi nga Drejtoria rajonale e Prishtinës, njoftoi për rastin e arrestimit të dy personave të dyshimtë për grabitje të armatosur në një pompë të derivateve.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, në operacionin e fundit ku janë përfshirë Drejtoria rajonale e Prishtinës dhe Njësia e Hetimeve pranë DRP-së, kanë arritur t’i arrestojnë dy persona, që kanë arritur të grabitin një pompë të derivateve në fshatin Sankovc, komuna e Drenasit. Të dyshuarit janë me inicialet A.N., mashkull, shtetas i Republikës të Kosovës dhe, Sh.K., mashkull, shtetas i Republikës të Kosovës. Për këtë rast e kemi edhe një person, i cili gjendet në arrati dhe është i njohur për policinë. Gjatë kontrollimit në dy lokacione janë sekuestruar: një pushkë e gjatë automatike, një revole, një çantë, kapuç, dorëza, të cilat dyshohet se janë përdorur nga të dyshuarit në këto vepra penale të grabitjeve”, tha Koliqi.

Ai foli edhe për rastin e para dy ditëve ku një person në një lagje të Prishtinës ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë.

“Një person i dyshuar me inicialet A.E., mashkull, 32-vjeç, shtetas i Republikës të Kosovës, është i dyshuar për tentim-vrasje ndaj zyrtarëve policorë në tri raste. Edhe pse më herët ka qenë i njohur për Policinë e Kosovës i dyshuari, Policia e Kosovës ka vazhduar edhe përkundër rrezikut që është shfaqur nga ai, në arritjen e arrestimit të tij”, u shpreh ai.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani bëri të ditur se policia është e përkushtuar që përveç zbardhjes së këtyre rasteve, të arrijë të parandalojë raste të tilla.

Deri më sot pranë Drejtorisë rajonale të Prishtinës janë arrestuar 34 persona, 32 grupe janë gjithsej. Këta persona janë të dyshuar për një dhe më shumë raste për vepra penale të grabitjes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera