Lajme

OIK ka filluar debatin për draft-ligjin e infermierisë

Autori: Gazeta inFokus 19:54 | 12 October 2021

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka organizuar në shtatë regjione debatin që i dedikohet draft ligjit për infermierinë, ku në gjitha regjionet e Kosovës, në kujdesin primar, sekondar dhe terciar mjekësor, po merren komente dhe sugjerime nga anëtarësia e OIK-ut, e të cilat do të merren për bazë gjatë draftimit të ligjit për Infermierinë.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë Naser Rrustemaj ka thënë se pjesë e debatit janë gjitha regjionet e Kosovës, ku do të merren vërejtjet, sugjerimet dhe komentet të cilat do të përcillen në OIK përmes koordinatorëve të shtatë regjioneve që njëherit janë pjesë e grupit punues për draftimin e ligjit.

“Në këtë fazë ne po marrim komente, vërejtje dhe sugjerime dhe po presim që deri më 15 tetor 2021 të gjitha këto të na përcillen në mënyrë që të futen në draft ligj”, ka thënë kryetari Rrustemaj në debatin e organizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

-Advertisement-

Po ashtu, në debatet e organizuara nga OIK, kanë marrë pjesë edhe  Sindikata e Infermierëve, shoqatat profesionale dhe kryetarët e tyre si dhe gjithë kryeinfermierët e klinikave të QKUK-së si dhe panelistët që kanë hartuar draft ligjin.

Hysni Bajrami, panelist në hartimin e draft ligjit për infermierinë ka folur për rëndësinë e këtij ligji në definimin e kompetencave dhe profilizimit të infermierëve dhe punonjësve tjerë shëndetësorë.

Ndërkohë, të gjitha komentet e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë që do të adresohen përmes koordinatorëve deri më 15 tetor 2021 dhe që janë të arsyeshme, sipas kryetarit të OIK-ut, do të futen në draft ligj dhe do të delegohen në Ministrinë e Shëndetësisë për procedim të mëtejmë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera