Lajme

Nxënësit po kërkojnë që shujtat të rikthehen nëpër shkolla

Autori: Gazeta inFokus 07:37 | 27 April 2022

Në vitin 2015, kishte nisur shpërndarja e kifleve nëpër shkolla. Por me fillimin e pandemisë, kur në shumicën e shkollave mësimi u zhvillua në distancë, shpërndarja e shujtave u ndërpre. Nxënësit po kërkojnë që shujtat të rikthehen nëpër shkolla, por kërkojnë më shumë cilësi dhe llojllojshmëri të ushqimeve. Këtë e po e kërkon këshilli i prindërve dhe mësimdhënësit ne Komunën e Prishtinës.

Kriza ekonomike që ka përfshirë vendin pas ngritjes së theksuar të çmimeve të artikujve bazikë, dhënia e shujtave për nxënësit e shkollave fillore në Komunën e Prishtinës, do të ishte një ndihmesë për familjet që kanë fëmijë ne shkollë. Ndarjen e shujtave e kërkojnë edhe nxënësit e Shkollës “Faik Konica”, në Prishtinë, por ata thanë për Radio Kosovën, se duan më shumë cilësi dhe llojllojshmëri të ushqimeve.

“Shpresojmë që do të na bien prapë, e sidomos për ata që si kanë kushtet, mos me marrë gjera prej shtëpisë por të i sjell komuna. Kish qenë mirë me qenë disa me vishnje, eurokrem, djathë. Kiflet më herët nuk i kemi ngrënë krejt veç kur kanë qenë me nutella ose djathë, edhe kanë qëlluar nganjëherë të prishur edhe qumështi edhe kiflet”, thanë ata.

-Advertisement-

Të rëndësishme e shumë të nevojshme këtë gjë e sheh edhe mësuesja Vjosa Zagragja Salihu, mësimdhënëse në Shkollën “Faik Konica”. Ajo thotë se është e nevojshme të rifillojë shpërndarja e shujtave, sidomos tash në këtë kohë kur kemi rritje të çmimeve te produkteve ushqimore.

“Me rritjen e këtyre çmimeve që po shkojnë duke u ngritur çdo herë e më shumë, do të ishte mirë të jepen përsëri për nxënësit e shkollave fillore, veçse kualiteti duhet të ndryshohet pak”, tha ajo.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Jeton Demi, ka thënë se mirë do të ishte që qeverisja aktuale ne Prishtinë të planifikonte shumë më mirë për shujtat sesa që ishte planifikuar në të kaluarën.

“Mos të kemi formalitet ose ofrim të ushqimeve të cilat nuk kanë vlera ushqimore dhe nuk mund të përmbushin nevojat për ushqim dhe rrjedhimisht nuk mund të quhen shujta”, tha ai.

Radio Kosova ka pyetur Komunën e Prishtinës se kur do të fillojë me shpërndarjen e shujtave për nxënës. Në një përgjigje me shkrim ata kanë thënë se Drejtoria Komunale e Arsimit është në proces të shqyrtimit dhe planifikimeve buxhetore për projekte të caktuara, që nuk janë përfshirë në vitin 2022. Edhe ky projekt do të jetë në kuadrin e shqyrtimeve nga ekspertët e fushës përkatëse.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera