Lajme

Nuredin Ibishi: Sulmi në veri kishte qëllim kryengritje të përgjithshme, në krye të tij qëndron Vuçiqi

Autori: Gazeta inFokus 17:20 | 26 September 2023

Një grup kriminal serb mëngjesin e së dielës vrau një rreshter të Kosovës, Afrim Bunjakun dhe plagosi një tjetër në Banjskë të Zveçanit.

Nga ky sulm u lënduan edhe dy polic të tjerë.

Policia e Kosovës, pas krejt këtij ballafaqimi me këta sulmues ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e tetë personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.

-Advertisement-

Kurse, sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se nuk kanë bilanc të saktë për terroristët e vrarë, duke shtuar se kanë indikacione që janë më shumë se tre.

Për gjithë situatën e krijuar atje për Front Online ka folur njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai ka thënë se qëllimi i krejt këtij organizimi ka qenë destabilizimi i Kosovës dhe një kryengritje e përgjithshme.

“Qëllimi përfundimtar i ekstremistëve serbë në krye me urdhërdhënësin presidentin Vuçiq ka qenë  që me futjen e grupit të terroristëve prej dikund që supozohet 30 persona të destabilizojë Kosovën. Tash aty thuhet se në grup ka qenë edhe Milan Radojiçiq me grupin e paramilitarëve dhe njerëzve të pajisur me mjete luftarake që kanë shfrytëzuar hyrjen kah drejtimi i Banjskës dhe qëllimi përfundimtar ka qenë i tyre një luftë hibride, një kryengritje të përgjithshme dhe të bëjnë një gjendje të re luftë të them mes forcave të rendit në këtë rast Policisë së Kosovës”, ka thënë Ibishi.

Ibishi:  Kriminelët serbë hasen në rezistencë të Policisë së Kosovës, u shpartalluan

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, duke folur për ngjarjen e kobshme që ndodhi të dielën në veri ka komentuar edhe atë se si është sjellë gjithë ai armatim në Kosovës.

Sipas tij, vet pozicioni i Banjskës që ka vetëm një fshat që e ndan nga kufiri me Serbinë ndoshta edhe e ka mundësuar këtë.

Por, shton se ata kanë pasur qëllim që pas kryerjes së aktit terrorist të largohen përmes maleve atje që është shumë afër me Serbinë.

“Vet pozicioni i Bansjkës në aspektin strategjik si vendbanim i vogël turistik dhe është vetëm një fshat që e ndan nga kufiri me Serbinë dhe qëllimi ka qenë që pas kryerjes së akteve terroriste edhe nëse ajo nuk përfshin përmasa të mëdha dhe nuk bëhet debalanci i forcave atëherë ata të tërhiqen përmes pjesës malore atje”, ka thënë Ibishi.

Ndërsa, deklaron se kriminelët serbë hasen në rezistencë të Policisë së Kosovës, me çka edhe u shpartalluan.

“Pra, këta hasen në një rezistencë të menjëhershme të Policisë së Kosovës edhe për një kohë të shkurtër u shpartalluan edhe pasojat veç dihen edhe në humbjen në njerëz, gjegjësisht në terrorista, edhe në humbje në teknikë edhe tërheqjen e tyre me pasoja në vendosjen e spitalit të Pazarit të Ri.”, ka shtuar ai

Ibishi: Vuçiqi qëndron në krye të organizimit në Banjskë

Njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, thotë  se në krye të gjithë organizimit që ndodhi të dielën në veri të vendit, qëndron presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, qëllimi i krejt kësaj ka qenë një kryengritje e përgjithshme.

“Absolutisht. Unë qysh më herët jam deklaruar se Vuçiqi qëndron në krye të këtij organizimi. Tash kur i marrim këto armatime, pajisje janë të prodhimit 2021 dhe janë në fabrika apo industrinë ushtarake të Serbisë dhe gjithë kjo bën që ky arsenal i armatimit, këta njerëz të përgatitur dhe të trajnuar mirë, pra qëllimi ka qenë për një kryengritje të përgjithshme dhe kryerjen e akteve terroriste ndaj pjesëtarëve të rendit, por edhe pjesëtarëve tjerë të komunitetit serb”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë: Hetimet do të tregojnë se a janë të përfshirë edhe pelegrinët në këto sulme

Në manastirin e Banjskës, ku ndërhyri Policia e Kosovës kishte edhe pelegrinë.

Të njëjtit janë intervistuar dhe iu janë marrë edhe shenjat e gishtërinjve.

Por, se a mund të jenë të përfshirë edhe këta në këtë organizim që e bënë kriminelet serbë, njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, ka deklaruar se këtë do ta tregojnë hetimet.

“Tash Policia e Kosovës është e përmbajtur jashtëzakonisht në çështjen e trajtimit sidomos të objekteve fetare sikurse që është ky manastir dhe për këtë Policia e Kosovës ka qenë shumë e kujdesshme edhe në fazën e ndërhyrjes aty ku janë strehuar terroristët, pro edhe në trajtimin edhe të pelegrinëve . Kështu qe vet Dioqeza e Rashkës së Prizrenit është deklaruar për këtë duke i cilësuar ata si persona të maskuar që kanë ndërhy aty dhe normal në një formë edhe është distancuar nga mundësia e përkrahjes në atë fazën e operacionit. Tash mbetet të shihet në fazën e hetimeve se sa është implikimi qoftë i pjesës së monarkëve të manastirit, apo edhe pelegrinëve që janë gjet aty në fazën e zhvillimit të operacionit”, ka thënë Ibishi, për Front Online.

Nuredin Ibishi: Nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja e KFOR-it në veri

Njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi është pyetur  se a ka qenë e nevojshme në veri ndërhyrja e KFOR-it.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka treguar performancë të jashtëzakonshme, dhe ka pasur kapacitete të mjaftueshme.

“Reaguesi i parë është Policia e Kosovës. Policia e Kosovës ka treguar performancë me kapacitete të bollshme, e ka mbizotëruar situatën dhe fare nuk ka qenë i nevojshëm angazhimi i KFOR-it përveç që ka kryer aspektin monitorues, gjegjësisht përcjelljen e gjendjes në terren”, ka thënë Ibishi, për Front Online.

A mund të përsëritet situata e së dielës/ Ibishi: Ka edhe ekstremistë të tjerë

Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë në vend, ka deklaruar se ngjarja e së dielës në veri të vendit edhe mund të përsëritet.

Ai thotë  kriminelët serbë kanë marrë leksion të mirë dhe kanë dështuar, derisa pohon se Policia e Kosovës është e gatshme t’i përgjigjet çdo rreziku dhe kërcënimi të këtyre grupeve.

“Se a do të ketë raste në të ardhmen Policia e Kosovë ka treguar dhe gjendja e sigurisë asnjëherë më e mirë në kuptimin e mbulimit të një intrakontrolli të situatës, rendit dhe qetësisë publike, por se a do të ketë raste unë mendoj se do të ketë ekstremistë të tjerë, por mendoj se kanë marrë një leksion të mirë nga kjo ndërhyrje çfarë kanë mendu ata edhe që iu ka dështuar tërësisht, pra kanë pësuar kolaps, mirëpo Policia e Kosovës do të kryej detyrat e veta anekënd Kosovës, pra edhe në këtë pjesë të vendit mendoj që ka kapacitete të bollshme dhe tu përgjigjet çdo rreziku edhe kërcënimi të këtyre grupeve terroriste”, ka deklaruar Ibishi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera