Lajme

Numri i të infektuarve në rritje/ S’parashihen masa shtesë ndaj COVID-19 në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 13:17 | 02 March 2021

Për shkak të rritjes së numrit të infektuarve me koronavirus, shumë shtete po vazhdojnë t’i ashpërsojnë masat mbrojtëse ndaj këtij virusi. Ndërsa, njëjtë nuk po veprohet edhe në Kosovë. Përkundër rritjes së rasteve të infektuara, nuk paralajmërohen masa shtesë.

Në kohën kur vendi po ballafaqohet me rritje të numrit të rasteve të infektuara me COVID-19, masat e fundit të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë po vlerësohen të mjaftueshme për ta menaxhuar gjendjen.

Nga kjo ministri është thënë ditë më parë për gazetën se tani për tani nuk do të ketë masa shtesë. Ndërsa, për ashpërsim të masave nuk flitet as me ardhjen e Qeverisë së re.

-Advertisement-

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është thënë sot se masat aktuale mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

“Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”, është thënë nga IKSHPK.

Ndërsa, edhe kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se fokusi duhet të jetë në mbajtjen e maskës dhe të distancës në veprimtaritë të cilat nuk ndalin punën por respektojnë këto masa.

Ajo ka thënë se edhe në lokale dhe aktivitete tjera, e vetmja kërkesë në vazhdimësi duhet të jetë mbajtja e maskës dhe distancës.

“Unë si deputete nga përvoja dhe fakti që kemi kaluar në një fushatë zgjedhore në të cilën shumë pak ose fare janë respektuar masat, përkundër që ka pasur thirrje, mendoj që tani duhet të kemi fokus në mbajtje të maskës dhe mbajtje të distancës, me veprimtari të cilat nuk ndalen por që i respektojnë masat e distancës fizike. Po konsideroj që edhe në lokale edhe në aktivitete, e vetmja kërkesë në vazhdimësi do të duhej të ishte mbajtja e distancës dhe maskave, për arsye se këto janë masat kryesore parandaluese”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Kusari-Lila ka deklaruar se me ngritjen e temperaturave, shumë aktivitete mund të mbahen edhe në hapësira të jashtme.

Masa shtesë nuk po rekomandojnë as nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka thënë për Express se nga takimi i fundit që kanë pasur nuk kanë përkrahur masat shtesë. Ai ka thënë se kur flitet për masa, kryetarët kërkojnë që të ketë një balancim mes shëndetit publik dhe ekonomisë, në mënyrë që kjo e fundit të mos mbyllet. Kryetarët e komunave gjatë diskutimeve që kemi pasur janë dakorduar që të respektohen udhëzimet e IKSHPK’së. Ndërsa, kur është çështja e lehtësimit të masave, kryetarët kërkojnë që të ketë një balancë me shëndetin publik dhe ekonomik. Ne kemi kërkuar që ekonomia të hapet e të mos mbyllet se edhe ajo ndikon në shëndetin publik”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë tutje se edhe nga drejtoritë e arsimit i kanë informuar se situata është e menaxhueshme dhe se përqindja e të infektuarve nuk është e madhe, andaj edhe sipas tij nuk ka kuptim që të mbyllen shkollat. Ndërsa, ish-anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu, ka thënë se kapacitetet shëndetësore janë duke e përballuar situatën aktuale. Ai ka theksuar se masat që janë marrë deri tani nuk kanë qenë efektive dhe vetëm kanë dëmtuar bizneset.

“I takon qeverisë të analizojë situatën e pastaj të vendos për masat, por masat që janë marrë nuk janë treguar efektive përveç që kanë dëmtuar bizneset, ndërsa numri i rasteve është dyfishuar pas vendosjes së masave”, ka thënë ai.

Sa i përket rritjes së rasteve të infektuara me COVID-19, Haxhiu ka thënë se së fundmi është rritur numri i testimeve, andaj ka edhe rritje të numrit të të infektuarve. Kujtojmë që pas lehtësimit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19 kanë reaguar përfaqësues të punëtorëve shëndetësorë të cilët kanë e kanë kundërshtuar vendimin, duke thënë se kësisoj mund të rritet numri i të infektuarve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera